Sat, Mar 14, 2026

Netflix blen startup-in e Ben Affleck, marrëveshja mund të arrijë 600 milionë dollarë

Netflix blen startup-in e Ben Affleck, marrëveshja mund të arrijë 600 milionë dollarë
  • PublishedMarch 13, 2026

Netflix ka njoftuar blerjen e InterPositive, një startup të teknologjisë për prodhimin e filmave të bazuar në inteligjencën artificiale, e themeluar nga aktori dhe regjizori Ben Affleck. Shuma totale e marrëveshjes mund të arrijë deri në 600 milionë dollarë, nëse kompania përmbush objektivat e performancës, ndërsa pagesa fillestare paraprake ishte më e vogël. Affleck dhe investitorët e InterPositive mund të përfitojnë deri në këtë shumë përmes kontratës me Netflix, megjithëse identiteti i investitorëve të tjerë nuk është zbuluar.

InterPositive, me seli në Los Angeles, ka funksionuar në fshehtësi që nga themelimi i saj në vitin 2022. Sipas Affleck, kompania po zhvillon një sistem të inteligjencës artificiale që krijon modele nga pamjet e prodhimit ditore, të cilat mund të përdoren nga regjisorët gjatë post-prodhimit për detyra të ndryshme, si miksimi i ngjyrave, rindriçimi i pamjeve dhe shtimi i efekteve vizuale. Netflix synon të ofrojë këtë teknologji partnerëve të saj krijues, pa plane për ta shitur komercialisht.

Marrëveshja përfshin gjithë ekipin e InterPositive, prej 16 inxhinierësh, studiuesish dhe krijuesish, të cilët do t’i bashkohen Netflix, ndërsa Affleck do të shërbejë si këshilltar i lartë për të garantuar vazhdimësinë e lidershipit dhe vizionit krijues të kompanisë. Drejtoresha Kryesore e Përmbajtjes së Netflix, Bela Bajaria, theksoi se teknologjia mund të japë partnerëve më shumë zgjedhje, kontroll dhe mbrojtje për vizionin e tyre artistik.

Affleck u shpreh për marrëveshjen: “Nuk mund të jem më i lumtur që kjo punë vazhdon me ekipin e Netflix dhe mezi pres t’i jap komunitetit më të gjerë krijues akses në atë që po ndërtojmë dhe në të ardhmen drejt së cilës po punojmë së bashku.”

Blerja e InterPositive shënon një nga investimet më të mëdha të Netflix në teknologji të avancuar për prodhimin e filmave dhe forcon strategjinë e saj për të mbështetur partnerët krijues me mjete inovative në industrinë e filmit.