Chaz Bono, djali transgjinor i Cher, martohet pas 40 vitesh dashuri
Chaz Bono, 57 vjeç, djali i legjendës Cher dhe i ndjerit Sonny Bono, ka kurorëzuar dashurinë e tij me partneren e tij të gjatë, Shara Blue Mathes. Çifti, i njohur që nga adoleshenca, kanë zgjedhur 8 marsin për të thënë “po” në një ceremoni të frymëzuar nga stili klasik i Hollywoodit, të mbajtur në hotelin e njohur Hollywood Roosevelt në Los Angeles.
“Sharan e takova për herë të parë më shumë se 40 vjet më parë, kur të dy ishim vetëm adoleshentë”, ka rrëfyer Chaz për mediat. Ai shtoi se ndjen një lidhje të veçantë me partneren e tij: “Ajo më bën të ndihem i plotë, sepse e di që gjithmonë do ta kem pranë si partnere, si shoqen time më të mirë dhe dashurinë e jetës sime. Çfarëdo që të na sjellë jeta, bashkë do të jemi gjithmonë më të sigurt dhe më të fortë… dhe më në fund ndihemi si në shtëpi”.
Chaz është djali i Cher dhe Sonny Bono, të cilët krijuan duetin e famshëm pop Sonny & Cher në vitin 1964. Ai ka edhe një vëlla, Elijah Blue Allman, nga martesa e Cher me muzikantin Gregg Allman. Chaz lindi si vajzë me emrin Chastity Bono, por më vonë kaloi tranzicionin dhe ndryshoi gjininë, duke bërë histori si garuesi i parë transgjinor në spektaklin Dancing with the Stars në vitin 2011. Po atë vit, dokumentari mbi tranzicionin e tij, Becoming Chaz, u shfaq premierë në Sundance Film Festival.
Cher ka qenë gjithmonë mbështetje e fortë për djalin e saj, duke reaguar shpesh ndaj sulmeve transfobike. “Chaz është shumë i lumtur, jashtëzakonisht i lumtur, dhe nuk e kuptoj se ku qëndron problemi për disa njerëz. Ata kanë frikë dhe thjesht nuk dinë si ta kuptojnë këtë”, ka deklaruar ajo.
Martesa e Chaz dhe Shara Blue Mathes është një dëshmi e dashurisë që ka qëndruar mbi 40 vjet dhe simbolizon përkushtimin dhe lumturinë e tyre të përbashkët.
