Verstappen e thotë hapur: Nuk po e shijoj më Formulën 1
Piloti i Red Bullit, Maks Vershtapen, vazhdon të këmbëngulë se nuk po e shijon shumë drejtimin e makinave aktuale të Formulës 1. Megjithatë, ai thekson se nuk ka ndërmend të largohet dhe se po përpiqet të gjejë zgjidhje bashkë me drejtuesit e sportit.
“Po flas FIA-n dhe me Formulën 1 dhe shpresoj që gjërat të përmirësohen për vitin e ardhshëm”, tha holandezi. Vershtapen madje la të kuptohet se sezoni aktual mund të jetë i vështirë për t’u ndryshuar, duke shpresuar që ndryshimet të vijnë në sezonin e ardhshëm. Kur u pyet për garën Sprint që zhvillohet këtë fundjavë në Kinë, Maks u përgjigj shkurt: “Nuk më intereson”. Duke folur për rolin e simulatorëve në këtë rregullore të re teknike, ai bëri edhe një shaka: “Do ta ndërroja simulatorin tonë me një videolojën “Nintendo Switch”.
Me kërpudhat jam mirë, me guaskat blu pak më keq… dhe raketën ende nuk e kemi”, tha ai me një buzëqeshje ironike. Vershtapen ishte protagonisti kryesor i konferencës për shtyp të së enjtes në Shangai. Stili i tij i drejtpërdrejtë, me pak ironi dhe shpirt rebel, argëtoi gazetarët e pranishëm. Ai konfirmoi gjithashtu se dëshiron të marrë pjesë në “24 Orët e Nurburgringut”, një garë e famshme e kategorisë GT. “Atje argëtohem dhe mund të jem vetvetja. Dua të bëj edhe gjëra të tjera dhe jo të pres deri në moshën 40 vjeç për t’i provuar”, tha ai për pasionin e tij për garat e rezistencës.
RREZIKU NË START
“Nisja nuk është aspak argëtuese dhe madje është mjaft e rrezikshme. Po diskutojmë me organizatorët për të parë çfarë mund të bëjmë. Siç u pa, për pak sa nuk patëm një aksident të madh. Një pjesë e problemit lidhej me baterinë, ndërsa pjesa tjetër me sistemin anti-stall. Nuk isha i vetmi me 0 ose 20% bateri dhe mendoj se kjo mund të rregullohet lehtësisht”.
POTENCIALI I RED BULL
“Sigurisht që makina ka shumë potencial, por gjithçka varet nëse arrijmë ta shfrytëzojmë gjatë sezonit. Në Australi diferenca ishte e madhe. Nëse do të kisha nisur pak më përpara në garë, maksimumi do të arrija vendin e pestë. Nuk kishim ritmin e makinave kryesuese dhe kishim shumë degradim të gomave dhe ‘graining’. Do të shohim në garat e ardhshme nëse mund ta zvogëlojmë diferencën”.
A DO TË JETË MË PRANË RIVALËVE NË KINË
“Është e pamundur të thuhet. Aktualisht pista është si një xhungël dhe është shumë e vështirë të kuptosh balancën e forcave. Shpresoj që diferenca të zvogëlohet, por për momentin nuk mund të luftojmë me ato makina”.
SPRINTI KAQ HERËT NË SEZON
“Besoj se e vështirëson situatën për të gjithë, por për mua nuk ka shumë rëndësi”.
GARA 24 ORË NURBURGRING
“Është interesante sepse është një nga garat dhe pistat më të mira në botë. Makina me të cilën do të garoj ka shpejtësinë perfekte për atë pistë. Në disa zona, nëse shkon edhe pak më shpejt, bëhet shumë e rrezikshme. Shumë miq të mi kanë garuar atje dhe thonë se është përvoja më e mirë. Më pëlqen të drejtoj edhe lloje të tjera makinash dhe kjo do të jetë hera e parë që do ta bëj seriozisht”.
PERFORMANCA NGA HAXHAR NË AUSTRALI
“Aleks pati një fundjavë shumë të mirë. Edhe pse në garë nuk arriti ta tregojë plotësisht, ishte një fillim shumë i mirë për ekipin. Unë pata probleme në kualifikuese dhe ai ishte shumë përpara. Kjo është pikërisht ajo që na duhet si ekip”.
ANTONELI PËR TITULL
“Do të prisja pak para se ta them diçka të tillë. Dua që gara për titull të jetë interesante, por mendoj se është e mundur. Mercedesi është në një pozicion shumë të fortë këtë sezon dhe Kimi mund të jetë aty lart. Megjithatë, për të luftuar për titull duhet të jesh konstant dhe të maksimizosh gjithmonë rezultatin”.
GARAT E REZISTENCËS
“Kam arritur tashmë atë që doja në Formula 1 dhe dua të eksploroj edhe mundësi të tjera, jo të pres deri në moshën 40 vjeç.”
SHARJET NË TIMON
“Nuk mund të përdor fjalë të pista. Tani gjoba është 5.000 euro”, përfundoi katër herë kampioni i botës, duke bërë shaka me pilotët pranë tij.
