Gjesti në paraburgim, psikologia: Mund të vuajë për shkak të tragjedisë së vëllait të tij
Gjendja emocionale e këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, po vazhdon të komentohet gjerësisht pas zhvillimeve të fundit dhe masës së paraburgimit të caktuar ndaj tij. Para gjykatës, artisti ka deklaruar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer në një gjendje të rënduar emocionale, ndërsa ka kërkuar edhe falje për rastin.
Lidhur me këtë situatë ka folur edhe psikologia Atifete Syla, e cila në emisionin “Weekend” ka dhënë një vlerësim mbi gjendjen e mundshme psikologjike të këngëtarit. Sipas saj, Gjesti mund të ketë përjetuar një ngarkesë të madhe emocionale, e ndikuar nga disa faktorë të rëndësishëm jetësorë dhe profesionalë.
“Ai ka mundësi të vuajë nga stresi posttraumatik për shkak të tragjedisë së vëllait të tij, gjendja emocionale është shumë e rënduar, por kjo aspak nuk e justifikon sjelljen”, është shprehur psikologia.
Në vijim të komentit të saj, Syla ka theksuar se gjendja e rënduar emocionale mund të lidhet edhe me ankthin, por ka sqaruar se kjo nuk duhet parë si arsye për të justifikuar sjellje të papranueshme. “Kjo është një ndër sjelljet tipike të ankthit, andaj duhet ta dimë që çrregullimet dhe problemet e shëndetit mendor nuk justifikojnë sjelljen”, tha ajo.
Psikologia shtoi më tej se ankthi zakonisht nuk manifestohet përmes agresionit, por më tepër përmes tërheqjes sociale, vetmisë dhe heshtjes. Sipas saj, pas përfundimit të eksperiencës në “Big Brother”, artisti do të ishte dashur të kërkonte ndihmë profesionale për të përballuar më mirë ngarkesën emocionale.
Ndërkohë, ndaj Gjestit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa rasti i tij mbetet në qendër të vëmendjes publike.
