Pronari i “Onima” paralajmëron konferencë për shtyp dhe publikimin e videove dhe provave
Pronari i kompanisë muzikore ONIMA, Erkand Shabani, ka reaguar publikisht në rrjetet sociale lidhur me rastin që përfshin artistin Besart Kelmendi, Gjesti.
Në reagimin e tij, Shabani bën të ditur se tashmë ka depozituar pranë organeve të rendit disa fakte të reja, të cilat sipas tij lidhen me lëvizje të organizuara automjetesh pranë zyrave të ONIMA-s. Ai thekson se këto informacione duhet të merren në konsideratë nga prokuroria si element shtesë në vlerësimin e rrezikshmërisë ndaj tij dhe stafit të kompanisë. Shabani shton se, në bashkëpunim me avokatin e tij, do të paraqiten edhe prova të tjera që lidhen me veprime të grupeve të ndryshme, të cilat sipas tij kanë tentuar të sigurojnë përfitime financiare nga kompania përmes kërcënimeve të armatosura.
Ai thekson se nuk kishte dashur të fliste publikisht për këtë ngjarje, duke e cilësuar atë si një vepër të qartë kriminale që, sipas tij, ka ndodhur në ambientet e zyrave të ONIMA-s. Sipas Shabanit, ngjarja ka shkaktuar dëme materiale për kompaninë dhe pasoja psikologjike për stafin, ndërsa çështja tashmë ndodhet në shqyrtim nga gjykata.
Në reagimin e tij, Shabani pretendon gjithashtu se disa artistë kanë qenë pjesë e një fushate publike, e cila sipas tij ka nxitur arsyetimin e dhunës dhe përhapjen e gjysmë të vërtetave. Ai përmend disa emra artistësh, mes tyre Zanfina Ismaili, Tayna, Yll Limani, Vesa Luma, Xheneta Fetahu, G Bani, Pleurat Zeksyla, Oriola Marashi dhe Besa Kokëdhima, duke shtuar se këto çështje do të trajtohen përmes institucioneve dhe procedurave ligjore.
Sipas tij, kjo fushatë ka pasur për qëllim ushtrimin e presionit publik ndaj trupit gjykues, si dhe lehtësimin e masave ndaj Gjestit dhe presion ndaj kompanisë ONIMA për të arritur një marrëveshje të detyruar.
![]()
