Tue, Mar 17, 2026

Valentino Rosi, elozhe Kimi Antonelit: Moment i madh edhe për Italinë

Valentino Rosi, elozhe Kimi Antonelit: Moment i madh edhe për Italinë
  • PublishedMarch 17, 2026

Ndër të parët që përgëzuan Kimi Antonelin për fitoren në Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1 ishte Valentino Rosi. Dhe ndoshta nuk mund të ishte ndryshe, pasi në njëfarë mënyre piloti italian i Mercedesit kishte përmendur “Doktorin” vetëm pak minuta pasi zbriti nga njëvendëshja e tij, duke e përshkruar suksesin e parë si “një fitore që të jep shije”, një citim tipik i stilit të Rosit që nuk u shpëtoi vëzhguesve më të vëmendshëm.

E menjëhershme ishte edhe përgjigjja e legjendës së MotoGP-së, i cili komentoi suksesin e parë të Kimit në F1: “Sa bukur! Jam shumë i lumtur që po jetoj këtë moment të Kimit, sepse ne kemi filluar ta ndjekim që kur ishte shumë i vogël, kur garonte me karting. Nganjëherë jemi takuar edhe në pistën e Migliaros, ku ne shkojmë për t’u stërvitur dhe ku ai vjen shpesh gjithashtu.

Ishte fantastike ta shihje të arrinte deri në Formula 1, këtë vit me një makinë konkurruese, dhe ta shihje të fitonte për herë të parë. Sipas meje është diçka shumë e veçantë, sepse në Itali prej shumë kohësh na mungonte një pilot fitues. Kam lexuar se kombinimi i ‘pole position’, fitores dhe xhiros më të shpejtë në të njëjtën garë ishte arritur për herë të fundit nga Alberto Askari në vitin 1953. Prandaj është një moment i bukur si për Formulën 1, ashtu edhe për Italinë”, komentoi Rosi gjatë një prononcimi për “SportMediaset”.