FOTO/ “Lamtumirë Pep”, Reali i jep leksion Man.City, pas Valverdes “shpërthen” edhe Vinicius
Real Madrid i dhuron një leksion të pastër futbolli Man.City, i “thyen” sërish, këtë herë brenda në “Etihad”, e të mendosh që Reali vinte në këtë sfidë dyshe me stofin e një ekipi jo favorit, kjo pasi infermieria ishte e mbush plot me lojtarë të dëmtuar. Nëse në Madrid ishte Valverde ai që bëri heroin, në Mançester ishte Vinicius, me brazilianin që realizoi një “dopietë” golash duke hedhur në tapet ekipin e Pep Guardiola-s.
Sigurisht, jo pak përcaktues në këtë përballje ishte dhe kartoni i kuq i Bernardo Silva-s. Kapiteni preku topin me dorë duke shkaktuar penallti dhe duke lënë ekipin me 10-të lojtarë që në minutën e 20-të. Nga pika e bardhë, Vinicius u tregua i saktë duke kaluar Real Madrid në avantazh. Man.City reagoi dhe në fundin e pjesës së parë ishte Haaland, me “bomberin” norvegjez që e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur.
Me një lojtar më pak, Man.City e kishte të vështirë të rikthehej në lojë, jo vetëm që nuk e bënë diçka të tillë, por në fund, Vinicius i ndëshkoi sërish, këtë herë i shërbyer në zonë nga Tchouameni. Ylli brazilian kompletoi në këtë mënyrë mbrëmjen e tij perfekte duke i dhuruar Realit një biletë për në fazën çerekfinale aty ku me shumë mundësi do të përballet me Bayern Munich.
Ashtu siç pritej, suksesi i Real Madrid ndaj Man.City mori vëmendjen e mediave spanjolle: “Lamturmirë Pep, tani radha e Bayern”, shkruan AS në faqen e parë.
