Lirimi i Gjestit/ Zbulon avokati: Është dënuar me kusht dhe me gjobë!
Mbrëmjen e djeshme, këngëtari i njohur Gjesti ka fituar lirinë, pas një jave të kaluar në ndalim, si pasojë e një konflikti me drejtuesit e kompanisë “Onima”. Ngjarja, e cila bëri bujë në media, lidhet me një përplasje verbale që më pas agravoi, ndërsa gjatë momentit të ndalimit, artisti dyshohet se mbante me vete edhe një armë pa leje.
Për të hedhur dritë mbi rrethanat e plota të incidentit, avokati i tij, Artan Çerkini, ka dhënë detaje në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Shqipëria Live”. Ai u shpreh se momenti i lirimit ka qenë tepër emocional për këngëtarin dhe familjarët e tij, duke marrë parasysh edhe një periudhë të vështirë personale që Gjesti ka kaluar më herët, pas humbjes së vëllait në një aksident tragjik.
Sipas avokatit, gjendja emocionale ka ndikuar në reagimin e artistit gjatë konfliktit, megjithatë ai ka bashkëpunuar me autoritetet dhe ka treguar pendesë për sjelljen e tij. Gjykata, pasi shqyrtoi çështjen, vendosi ta dënojë këngëtarin me kusht, si dhe t’i vendosë një gjobë financiare prej 7 mijë eurosh.
Nga ana e tij, Gjesti ka shprehur keqardhje të thellë për tonet kërcënuese dhe situatën e krijuar, duke premtuar se do të reflektojë dhe nuk do të përfshihet më në incidente të tilla.
Çerkini deklaroi:
“Incidenti, i cili ka shërbyer si pretekst për ndalimin e Gjestit, i ka paraprirë një mosmarrëveshjeje mes tij dhe kompanisë Onima, që sipas tij kjo kompani i ka borxhe këngëtarit. I revoltuar nga injorimi i kompanisë, Gjesti ka reaguar me ato që edhe ju keni parë. Ai në fakt e ka pranuar se ka thënë fjalë jo të mira, të cilat mund të kenë pasur edhe tone kërcënuese ndaj stafit. I ka dëmtuar edhe disa objekte, dhe ka pasur me vete edhe një armë pa leje. Pastaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Në seancë ai panoi fajësinë dhe kërkoi falje. Në momentin kur një i dyshuar e pranon fajësinë, nuk caktohet paraburgimi”.
“Një i dyshuar që rrëfen ngjarjen, nuk duhet të mbahet në paraburgim. Ai menjëherë ka shfaqur shenja pendese, edhe të gjithë njerëzit që e njohin e dinë që ai nuk është i dhunshëm, por është një incident i momentit. Gjesti tha se i vjen keq për atë që ka ndodhur. Ky ishte një leksion për Gjestin. Ndjente keqardhje. Po ashtu, premtoi se në të ardhmen nuk do të përsërisë sjellje të kësaj natyre. Me siguri, kur është liruar, ka qenë një moment emocionues, marrë parasysh edhe faktin e tragjedisë familjare. Gjesti nuk ka asnjë masë kufizuese tani, nuk ka pengesa. Nuk është caktuar as ndonjë masë tjetër procedurale. Ai është dënuar me kusht dhe me gjobë. Kjo është çështje penale. Ka marrë edhe një gjobë 7 mijë euro. Primare ka qenë lirimi i Gjestit. Tani ai është i lirë dhe është në një pozitë më të mirë për të marrë vendime. Këshilla e parë për Gjestin është të mos i përsërisë më këto veprime. Mosmarrëveshjet t’i zgjidhi në rrugë ligjore”.
