Sun, Mar 22, 2026

Drita fiton derbin ndaj Gjilanit , vendos një gol

Drita fiton derbin ndaj Gjilanit , vendos një gol
  • PublishedMarch 22, 2026

Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, ka triumfuar në derbin lokal ndaj Gjilanit, me rezultat minimal 1:0, në kuadër të javës së 26-të në Albi Mall Superligë, duke kryesuar tashmë e vetme në renditje. Ndeshja e zhvilluar në terrenin sintetik në Gjilan u vendos në fundin e pjesës së parë, kur Veton Tusha realizoi me gjuajtje me kokë, në minutën e 44-t, pas një asistimi të Kristal Abazajt. Menjëherë pas golit, Gjilani mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Albin Prapashtica u ndëshkua me karton të kuq direkt për ndërhyrje të ashpër. Me këtë fitore, Drita krijon epërsi prej tri pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Ballkanit, që në këtë xhiro u mposht nga Prishtina. Gjilani ndërkohë mbetet në pozitën e pestë me 39 pikë.

Fitore të rëndësishme ka realizuar edhe Malisheva, e cila në stadiumin “Liman Gegaj” e ka mposhtur Llapin, me rezultat 2:0, duke u rikthyer te suksesi pas dy humbjeve radhazi. Golin e epërsisë e realizoi Donart Vitija në minutën e 52-të, ndërsa fitoren e vulosi Mevlan Zeka në minutën e 69-të. Kjo fitore e ngjit Malishevën në vendin e katërt me 40 pikë, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e tetë me 29 pikë.

Ndërkohë, në Klinë, Dukagjini dhe Prishtina e Re kanë ndarë pikët në barazim 1:1. Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Ibrahim Kargbos, në minutën e 54-të, por vendasit reaguan në pjesën e dytë dhe barazuan shifrat me anë të Altin Mërlakut, në minutën e 80-të. Prishtina e Re kishte mundësi të kalonte në avantazh që në pjesën e parë, por Tony Gomes humbi penalltinë në minutën e 14-të, duke goditur traversën. Pas këtij barazimi, Prishtina e Re mbetet në vendin e fundit me 24 pikë, ndërsa Dukagjini renditet i gjashti me 34 pikë.