Shoqatat kërkojnë që Hasi të këtë statusin Bashkisë! Morina: Nuk dëshirojmë kurrë që qyteti të zbrazet e dobësohet
Komuniteti i Hasit ka ndërmarrë hapat e parë për të çuar zërin e tij pranë Komisionit të Reformës Territoriale.
Në një takim publik të zhvilluar në Tiranë, Shoqata “Hasi” dhe Diaspora Hasjane argumentuan se kjo zonë duhet të ketë status të veçantë bashkiak, duke theksuar vlerat e saj historike dhe identitare.
“Deri më tani nuk ka asnjë deklarim zyrtar për këtë bashki, por pikërisht ngaqë nuk ka deklarim zyrtar, frika ekziston. Do të ishte mëkat që gjithë ky çlirim vlerash, që shpërthejnë me energjitë më të mira, të ndërpritet”, u shpreh Kujtim Morina, Kryetar i Shoqatës Atdhetare ‘Hasi’.
Përfaqësues të diasporës theksuan shqetësimin për boshatisjen e zonës dhe nevojën për forcimin e lidhjeve me vendlindjen.
“Nuk dëshirojmë kurrë që Hasi të zbrazet, të dobësohet, sidomos kur përballet me sfida territoriale. Kjo është një pasojë që mund të shkaktojë tragjikisht edhe më shumë largimin e hasjanëve. Përkundrazi, synimi ynë është të bëjmë gjithçka për të parandaluar largimin dhe për të përforcuar lidhjen tonë me vendlindjen”, u shpreh Uran Derri, koordinator i ‘Diaspora Hasjane’.
Nisma ka marrë edhe mbështetje politike nga bashkëkryetari i reformës territoriale, Luciano Boçi.
“Ne duhet të rrisim numrin e bashkive, jo vetëm të ruajmë Hasin, por të vendosim në hartë dhe ato territore që e meritojnë, kanë identitetin e tyre historik, kulturor dhe duhet të ekzistojnë si të tilla”, u shpreh Boçi.
Gjatë takimit u prezantuan materiale fotografike dhe dëshmi historike që pasqyrojnë traditën dhe kulturën e krahinës, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott.
