E ardhmja në dyshim, Guardiola nuk vendos, City sheh për alternativa
E ardhmja e Pep Guardiola te Manchester City vazhdon të mbetet një pikëpyetje e madhe. Trajneri spanjoll ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa gjithçka pritet të qartësohet në muajin maj.
Kjo situatë ka shtyrë drejtuesit e klubit anglez të nisin lëvizjet paraprake, duke analizuar emrat që mund të marrin drejtimin e skuadrës në rast të një largimi të mundshëm të Guardiolës.
Në listën e kandidatëve spikasin disa figura të njohura të futbollit europian, si Cesc Fàbregas, Xabi Alonso dhe Enzo Maresca, të cilët kanë tërhequr vëmendjen me punën e tyre në pankinë.
Ndërkohë, alternativa të tjera serioze konsiderohen edhe Vincent Kompany, aktualisht trajner i Bayern Munich, si dhe Julian Nagelsmann, i cili drejton përfaqësuesen e Gjermanisë.
Në kampin e Manchester City-t mbizotëron pritja, ndërsa drejtuesit synojnë të garantojnë stabilitet dhe vazhdimësi në projektin sportiv të klubit, pavarësisht vendimit që do të marrë Guardiola në javët në vijim.
