Revolucion tek United, 8 lojtarë largohen në verë, Maguire rinovon
Revolucion i madh pritet te Manchester United. Sipas raportimeve nga “The Sun”, Jim Ratcliffe po përgatit një riorganizim të thellë të skuadrës, me synimin për të siguruar rreth 100 milionë stërlina nga shitja e lojtarëve.
Të paktën 8 futbollistë të ekipit të parë pritet të largohen në fund të sezonit. Mes emrave më të përfolur janë Marcus Rashford, Rasmus Højlund, André Onana, Joshua Zirkzee dhe Manuel Ugarte. Ndërkohë, Casemiro, Jadon Sancho dhe Tyrell Malacia pritet të largohen si lojtarë të lirë.
Klubi anglez synon të përfitojë rreth 64 milionë stërlina nga kthimi në transferime të përhershme i huazimeve të Rashford dhe Højlund.
Në të njëjtën kohë, një nga shtyllat e mbrojtjes, Harry Maguire, ka rinovuar kontratën deri në vitin 2027, me opsion për një sezon shtesë. Mbrojtësi anglez është shprehur krenar që vazhdon të përfaqësojë klubin dhe beson se momentet më të mira për skuadrën janë ende përpara.
Manchester United përgatitet kështu për një verë të nxehtë në merkato, me ndryshime të mëdha në përbërje dhe ambicie të reja për të ardhmen.
