Barazimi në Kupë ndaj Vllaznisë, Ilir Daja: Bëjmë gjithçka për kualifikimin
Tekniku i Dinamos, Ilir Daja tregoi këndvështrimin e tij pas barazimit 1-1 ndaj Vllaznisë në Kupë.
“Barazim i pranueshëm? Unë do të thoja që ky barazim na bëri mirë, vetëm për një fakt që shpresuam deri në fund fare. Besoj që kjo ishte pjesa e asaj që ne do të shkojmë në Shkodër me barazim. Vllaznia sidomos në pjesën e parë ka qenë më e fortë dhe me më shumë dëshirë. Ne kemi humbur topa pasi luajtëm me topa të gjatë, s’duhet të na ndodhë në një ndeshje Kupe, pasi ka specifikë me eliminim.
Në pjesën e dytë kemi marrë njëfarë territori, por kemi prishur ekuilibrat. Nëse do të shënohej penalltia e Dejvit, mundet që një gol i mëhershëm, mund të na jepte një bonus psikologjik. Rastet janë 50 me 50 edhe pse Vllaznia ishte pak më mirë sot. Besoj që duhet ta kishim bërë lëvizjen që në momentin e parë, ato po vinin me dy forca ultra ofensivë, me Bismark dhe Dodaj. Ne duhej të zbrisnim Vilën, për të shmangur presingun.
Loja që bëhet në momentin që Nani është më sipër dhe treshja më poshtë, kur shkon te vija fundore, e kemi pak problem. Neve mbështetja e lojtarëve na futet brenda zonës së vogël. Kështu lëmë hapësira për lojtarin që vjen mes linjave. E kemi punuar edhe në stërvitje, e kemi parë edhe në video. Por ndoshta duhet të jenë veprimet fleksibël të lojtarëve, por edhe mbrojtësit e krahëve të jenë më të vëmendshëm. Të vjen keq që të marrësh gola të tillë. Ndoshta pjesa tjetër, filtri i fushës duhet të jetë afër linjës së mbrojtjes.
Nuk të përgjigjem dot në detaje, kemi edhe një ndeshje tjetër. E kishim punuar në stërvitje për rastet 1 kundër 1. E bëmë një herë në pjesën e parë, por duhet ta bënim më shpesh, për të shmangur markimin e lojtarëve tanë. Plus duhej edhe një tjetër gjë në manovër, por nuk flas në detaje. Kur këto mund të bënin rotacion, mund të ishin lojtarë të tjerë”, tha Daja.
