Lamtumirë e parakohshme! Ndahet nga jeta në moshën 35 vjeçare aktori i “Game of Thrones”
Bota e artit është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit Michael Patrick, i cili u shua në moshën 35-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen e neuroneve motorike.
Lajmi i hidhur është bërë publik nga bashkëshortja e tij, Naomi Sheehan, përmes një postimi emocional në rrjetet sociale. Ajo shprehu dhimbjen e thellë për humbjen, duke theksuar se familjarët dhe miqtë janë të shkatërruar nga largimi i tij i parakohshëm.
Në një dedikim prekës për partnerin, të cilin e thërriste “Mick”, ajo e përshkroi si një njeri plot jetë dhe energji: “E jetoi jetën deri në fund, me gëzim, me një shpirt të fortë dhe me një të qeshur ‘ngjitëse’”. Fjalët e saj pasqyrojnë kujtimin e një personi që, pavarësisht sëmundjes, nuk reshti së përçuari pozitivitet.
Aktori ishte diagnostikuar në vitin 2023 me këtë sëmundje të rëndë neurologjike, e cila prek gradualisht aftësitë jetike si lëvizja, të folurit dhe frymëmarrja.
Gjatë karrierës së tij, Michael Patrick u bë pjesë e disa projekteve të njohura televizive. Ai pati një paraqitje edhe në serialin e famshëm “Game of Thrones”, si dhe në prodhime të tjera si “Blue Lights”, “My Left Nut” dhe “This Town”.
Ndarja e tij nga jeta lë pas një boshllëk të madh për familjen, miqtë dhe publikun që e ndoqi në ekran, ndërsa kujtimi për të pritet të mbetet gjatë në industrinë e filmit dhe televizionit.
