Anulimi i Wireless pas ndalimit të Kanye West rrezikon 30 milionë dollarë humbje dhe të ardhmen e festivalit!
Gjigandi global i industrisë së muzikës live, Live Nation, është përballur me një goditje të madhe pasi planet për rikthimin në Europë të reperit Kanye West dështuan në momentet e fundit. Autoritetet britanike i ndaluan hyrjen artistit në Mbretërinë e Bashkuar, duke çuar në anulimin e shumëpritur të festivalit Wireless në Londër.
Vendimi u mor nga Ministria e Brendshme britanike, me ministren Shabana Mahmood që deklaroi se prania e West “nuk ishte në interes të publikut”. Menjëherë pas këtij njoftimi, organizatorët e festivalit konfirmuan anulimin e eventit tre-ditor në Finsbury Park, duke hequr të gjithë materialin promovues nga platformat online.
Reagimet nuk munguan. Keir Starmer mbështeti vendimin, duke theksuar se artisti nuk duhej të ishte ftuar që në fillim, ndërsa organizata Campaign Against Antisemitism e cilësoi ndalimin si të drejtë.
Sipas burimeve, Live Nation kishte investuar ndjeshëm për të sjellë West në Europë, duke planifikuar një seri koncertesh dhe duke i ofruar rreth 11 milionë paund për tre net performancë. Megjithatë, paralajmërimet për rrezikun e reagimeve publike u injoruan.
Anulimi i festivalit pritet të sjellë humbje të mëdha financiare, të vlerësuara deri në 30 milionë dollarë, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij.
Kanye West, i njohur tashmë si Ye, kishte kërkuar falje më herët për deklarata dhe veprime të diskutueshme, duke premtuar ndryshim. Megjithatë, rikthimi i tij në skenën britanike pas 11 vitesh nuk do të ndodhë, duke lënë fansat të zhgënjyer dhe industrinë në reflektim.
