Frikë te Baseli, dhomat e zhveshjes në flakë, shtyhet ndeshja
Shtyhet zyrtarisht ndeshja e kampionatit zviceran mes Tun dhe Basel, e programuar të luhet këtë të shtunë. Federata Zvicerane e Futbollit ka pranuar kërkesën e bërë, pasi Basel bëri me dije se një zjarr shpërtheu të premten në mbrëmje në dhomën e zhveshjes së ekipit të parë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Më saktësisht, bëhet fjalë për një incident në katin e parë të bodrumit të stadiumit Sant Jakob Park, ndërsa arsyet ende mbeten ende të paqarta. Basel aktualisht nuk ka në dispozicion uniforma ndeshjeje dhe pajisje mjekësore, çka ka bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjes në kushte normale.
“E gjithë dhoma e zhveshjes ishte e shkatërruar. Janë dëmtuar edhe dhomat me pajisje, rekuizitat e lojtarëve dhe të trajnerëve. Zyra e trajnerit, menaxherit të ekipit, dhomat e fizioterapistëve, dushet dhe gjëra tjera me rëndësi, janë shkatërruar po ashtu”, ka njoftuar Baseli të shtunën në mëngjes. Kujtojmë se te kjo skuadër luan lojtari shqiptar, Xherdan Shaqiri.
