Robbie & Cooper në një rol ndryshe: ja çfarë po përgatisin
Margot Robbie dhe Bradley Cooper do të bashkohen në një projekt të ri kinematografik që po tërheq vëmendjen e fansave të sagës “Ocean’s 11”. Lajmi u konfirmua gjatë prezantimit të Warner Bros. në CinemaCon 2026, ku u zbuluan detaje të rëndësishme rreth këtij produksioni ambicioz.
Filmi i ri do të jetë një paraardhës i historisë së njohur dhe do të zhvendosë ngjarjet në vitin 1962, duke sjellë në qendër të rrëfimit prindërit e Danny Ocean, figurës ikonike të sagës. Sipas informacioneve të bëra publike, personazhet e interpretuar nga Robbie dhe Cooper do të portretizohen si hajdutë profesionistë, të cilët organizojnë një grabitje spektakolare gjatë Çmimit të Madh të Monakos.
Ky projekt synon të zbulojë rrënjët e karakterit të Danny Ocean, duke treguar se si ai është frymëzuar dhe trajnuar nga familja e tij për t’u bërë një nga mendjet më të mprehta të botës së krimit. Përveç rolit si protagoniste, Margot Robbie do të jetë edhe producente, duke marrë një rol kyç në zhvillimin e filmit.
Ndërkohë, Bradley Cooper pritet të ketë një përfshirje edhe më të gjerë, pasi përflitet se mund të marrë përsipër edhe regjinë, pas tërheqjes së disa emrave të tjerë nga projekti.
Premiera e filmit është planifikuar për 25 qershor 2027, ndërsa xhirimet pritet të nisin gjatë këtij viti. Paralelisht, një tjetër projekt i ri i sagës, “Ocean’s 14”, është gjithashtu në zhvillim, me rikthimin e aktorëve të njohur si George Clooney, Brad Pitt, Julia Roberts, Don Cheadle dhe Casey Affleck, duke premtuar një rikthim të fuqishëm të historisë së famshme.
