Tue, Apr 21, 2026

Bregu vazhdon si lider i Dinamos, Malomo është lojtari më në formë

Bregu vazhdon si lider i Dinamos, Malomo është lojtari më në formë
  • PublishedApril 21, 2026

Dinamo e këtij sezoni ka pasur oshilacione të shumta por golat janë shënuar në mënyrë të vazhdueshme nga thuajse të gjithë futbollistët në skuadër. Viti 2026 nuk ka qenë viti më i mirë për blutë deri më tani pasi rezultatet kanë qenë negative dhe kanë humbur shumë terren në klasifikimin e përgjithshëm.

Sa i përket golave të shënuar, Bregu është padyshim lojtari lider te skuadra e Dinamos dhe me Dinamon ka realizuar 9 gola, nga të cilët 5 në vitin e shkuar kalendarik dhe 4 të tjerë këtë vit. Bregu është aktualisht edhe golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat dhe absolutisht protagonist me skuadrën e drejtuar nga Daja duke marrë rolin e liderit. Një nga lojtarët që ka befasuar më së shumti, është Malomo.

Mesfushori i afruar në fundin e janarit me skuadrën e Dinamos, ka arritur të realizojë 3 gola këtë sezon me fanellën e bluve dhe për një gol, do të barazojë shumën e golave që kishte shënuar në të shkuarën me Bylisin. Malomo është lojtari më në formë te skuadra e Dinamos duke qenë se veç Bregu ka shënuar më shumë gola, por duke pasur parasysh se Bregu ka realizuar edhe me penallti, megjithëse ka humbur të tjera penallti që mund ta thellonte më shumë hendekun e golave me të tjerët.

Duke pasur parasysh faktin se Malomo luan në mesfushë dhe vetëm në shkurt ka nisur të luajë për Dinamon, 3 gola janë mjaftueshëm për të bindur se është një lojtar që ka përmbushur të gjitha pritshmëritë. Ndryshe është situata me Ibrahim Mustafan i cili ka ardhur si sulmues te skuadra e Dajës megjithatë ende nuk ka arritur të gjejë golin e parë me fanellën e re edhe pse kishte shënuar plot 7 herë me Bylisin deri në janar.