Mon, Apr 27, 2026

Zbardhet vrasja në Lezhë, 3 në kërkim

Zbardhet vrasja në Lezhë, 3 në kërkim
  • PublishedApril 27, 2026

Policia e Lezhës ka avancuar hetimet lidhur me atentatin e rëndë të ndodhur në Balldre, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Sipas burimeve hetimore, deri më tani janë shpallur në kërkim tre persona, ndërsa dyshohet se në ngjarje janë përfshirë dy automjete: një Audi dhe një Alfa Romeo pa targa.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se automjeti tip Audi Q7, me të cilin udhëtonte çifti Mujeci, ka frenuar fillimisht për shkak të një makine tjetër të ndaluar pranë një biznesi në zonë. Në përpjekje për të manovruar, drejtuesi i mjetit ka lëvizur disa metra mbrapa.

Pikërisht në këtë moment është afruar një automjet tip Alfa Romeo pa targa, nga i cili autorët kanë hapur zjarr në drejtim të çiftit. Më pas, dy persona kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar sërish drejt Audi-t ku ndodheshin viktimat.

Pas kryerjes së atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të fshatit Torovicë.

Hetimet janë shtrirë edhe mbi një automjet tjetër tip Audi me targa, i cili është konstatuar në zonë gjatë momentit të ngjarjes dhe është larguar në të njëjtin drejtim me autorët, duke ngritur dyshime për përfshirje të mundshme.

Ngjarja është parë edhe nga disa dëshmitarë okularë, të cilët, pasi kanë dëgjuar të shtënat, kanë devijuar rrugën duke kaluar në një aks dytësor për t’i shpëtuar rrezikut.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa pista kryesore ku janë përqendruar hetimet mbetet ajo e gjakmarrjes.