Kanye West koncert në Tiranë, Anglia dhe Australia i ndalojnë hyrjen si anti-izraelit!
Kanye West koncert në Tiranë, Anglia dhe Australia i ndalojnë hyrjen si anti-izraelit!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të enjten se një koncert i Kanye West do të zhvillohet në vend, përmes një videoje të publikuar në Facebook, ku shfaqej reperi kontrovers dhe një mesazh i shkurtër nga Rama: “11 korrik në Tiranë.”
Zyra e Kryeministrit tha për BIRN se koncerti nuk do të sponsorizohet nga institucionet shqiptare, por nuk pranoi të shpjegojë promovimin nga ana e kryeministrit të West, i cili ka pasur disa koncerte të anuluara në Evropë dhe Australi për shkak të shqetësimeve lidhur me antisemitizmin.
Ministria e Kulturës shpjegoi se koncerti do të vetëfinancohet nga shitja e biletave, por se një koordinim ndërinstitucional do të “lehtësojë” zhvillimin e tij.
“Në çdo aspekt, është detyrimi ynë të mirëpresim dhe të lehtësojmë zhvillimin e ngjarjeve të tilla që sjellin përfitime të shumta për turizmin dhe ekonominë”, tha ministria për BIRN.
Ajo shtoi se koncerti “do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.”
West, i njohur edhe si Ye, së fundmi u ndalua të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të komenteve antisemitike dhe një kënge që publikoi me titull “Heil Hitler”; paraqitja e tij e planifikuar në një festival në Londër u anulua. Një tjetër performancë e planifikuar në turneun e tij evropian, në Chorzów në Poloni muajin e ardhshëm, është anuluar gjithashtu.
Australia gjithashtu i ndaloi hyrjen West-it në vitin 2025.
Sidorela Vatnikaj, një aktiviste për të drejtat e njeriut në Tiranë, kritikoi vendimin për të vijuar me koncertin në Shqipëri.
“Organizimi i koncertit të tij në Tiranë është një ngjarje shumë problematike sepse… legjitimon një individ që shpesh ka përdorur popullaritetin e tij për të justifikuar dhe lavdëruar nazizmin”, tha Vatnikaj për BIRN.
Isa Myzyraj, kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, tha se “është e pakuptueshme pse kryeministri vendos të provokojë njerëzit duke promovuar Kanye West.”
“Rama është një lider shteti që në janar mbajti një fjalim në Knesset dhe shfaqet si mbështetës i Izraelit dhe, nga ana tjetër, disa muaj më vonë, promovon Kanye West, i cili, për arsye që i dimë të gjithë, ka promovuar jo vetëm antisemitizmin, por edhe udhëheqësin më barbar që ka njohur ndonjëherë njerëzimi (Hitlerin)”, tha Myzyraj për BIRN.
West ka fajësuar çrregullimin e tij bipolar për deklaratat dhe veprimet e tij antisemitike dhe pro-naziste. Ai publikoi një njoftim në The Wall Street Journal për të kërkuar falje dhe për të deklaruar se “Unë nuk jam nazist apo antisemit.”
