Dënohet me 14 vite burg Ross Davidson për përdhunime dhe sulme seksuale ndaj gjashtë grave
Ross Davidson, muzikanti britanik i njohur me emrin artistik Ross Wild dhe për lidhjen e tij me grupin Spandau Ballet, është dënuar me 14 vite burg pasi u shpall fajtor për një seri përdhunimesh dhe sulmesh seksuale ndaj gjashtë grave.
Vendimi i gjykatës erdhi pas dy proceseve gjyqësore, ku ndaj 38-vjeçarit rëndonin akuza për dy raste përdhunimi, një tentativë përdhunimi, tre sulme seksuale si dhe dy raste të filmimeve të grave në situata intime pa pëlqimin e tyre. Sipas autoriteteve, ngjarjet kanë ndodhur në periudhën gusht 2013 deri në dhjetor 2019.
Gjatë gjykimit, Davidson i mohoi të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se marrëdhëniet kishin qenë me pëlqim. Megjithatë, juria e shpalli fajtor për disa nga veprat penale të ngritura ndaj tij.
Prokuroria theksoi se një ndër provat kyçe ishte një video, në të cilën pretendohet se dokumentohet momenti i përdhunimit të një viktime. Për më tepër, në telefonin e tij u gjetën edhe pamje të tjera që, sipas hetuesve, tregonin raste të ngjashme, ku ai dyshohet se i prekte gratë ndërsa ato ishin në gjumë.
Prokurori Richard Hearnden deklaroi se viktimat ndodheshin në gjendje të pambrojtur, shpesh në gjumë të thellë, çka i kishte bërë të paafta për të reaguar. Disa prej tyre, sipas raportimeve, e kuptuan se çfarë kishte ndodhur vetëm pasi u kontaktuan nga policia gjatë hetimeve.
