Në pritje të titullit, tek Inter janë gati për festën, klubi akordon shpërblimet
Inter është shumë pranë momentit të madh: sfida ndaj Parmës mund të jetë ndeshja që i jep matematikisht zikaltërve titullin e 21-të në Serie A. Një fitore do të mbyllte çdo llogari për kampionatin, duke hapur menjëherë festën në kampin milanez.Tifozët janë duke mbyllur përgatitjet e fundit sa i takon festës së scudettos, ndërsa parakalimi zyrtar me autobusin zikaltër në rrugët e Milanos do të zhvillohet pas ndeshjes së fundit në San Siro, në atë mes Interit dhe Veronës, e planifikuar të zhvillohet më 17 Maj.
Sipas raportimeve të mediave italiane, pronësia Oaktree ka parashikuar një bonus prej rreth 6 milionë eurosh për skuadrën dhe stafin në rast fitimi të kampionatit, duke konfirmuar rëndësinë e objektivit. Por Interi nuk mendon vetëm për të tashmen. Drejtuesit kanë nisur tashmë planifikimin e merkatos së verës, ku disa emra mbeten në qendër të vëmendjes: Manu Koné, Moussa Diaby dhe Curtis Jones.
Koné i Romës është një profil i vlerësuar prej kohësh për forcën fizike në mesfushë, por operacioni mbetet i lidhur edhe me nevojat financiare të klubit kryeqytetas. Jones i Liverpool-it, nga ana tjetër, shihet si një lojtar me potencial të madh, por konkurrenca e fortë nga Premier League e bën transferimin të komplikuar. Ndërsa Diaby, aktualisht në Arabinë Saudite, mbetet një emër i nxehtë për repartin ofensiv, falë shpejtësisë dhe aftësisë për të krijuar superioritet numerik në sulm. Interi, pra, është në një moment kyç: një hap larg titullit në fushë, por tashmë me sytë e kthyer edhe nga e ardhmja e skuadrës.
