Baron i energjisë, pa zyrë! Lidhjet e Marin Gjonajt me pushtetin në Kosovë
Baron i energjisë, pa zyrë! Lidhjet e Marin Gjonajt me pushtetin në Kosovë
Aparaturat për prodhimin e BitCoinëve që po shihni janë në pronësi të Marin Gjonajt – bosit të energjisë elektrike në Kosovë – dhe ky është një operacion special i vitit 2022 nga Policia shqiptare.
Kjo ndërhyrje për konfiskimin e kësaj makinerie, e kryer nga Njësiti për Krime Kibernetike në dy fshatra të Durrësit, kishte rezultuar me arrestimin e tre personave.
Katër të tjerë ishin shpallur në kërkim. Në mesin e tyre ishte edhe Marin Gjonaj.
Gjonaj shpëtoi nga kërkimi policor – për t’u katapultuar katër vjet më vonë në majë të tregut energjetik në Kosovë – përmes kompanisë së tij “ETMT Energy”, e cila sipas të dhënave ekskluzive të VOX Kosova, qarkulloi 24 milionë e 500 mijë euro vetëm në janar e shkurt të vitit 2026, dhe atë me vetëm një punëtor të regjistruar e me zyrë në dry.
Vështirë të quhet rastësi.
VOX Kosova ka arritur të dokumentojë e vërtetojë lidhjet e të kërkuarit nga drejtësia, që më vonë u bë biznesmen, me pushtetin e Vetëvendosjes në Kosovë.
Këto janë fotografi që shfaqen për herë të parë në media dhe janë të shkrepura në Emiratet e Bashkuara Arabe në prill të vitit 2025, koha kur Gjonajt filloi t’i fluturojë pasuria në Kosovë.

Në anën e djathtë të imazhit shfaqet Marin Gjonaj. Në të majtë, zv/ministri i Ekonomisë, dikasterit përgjegjës për rrymën në Kosovë, Getoar Mjeku. Në mes qëndron ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti.
Ka edhe fotografi të tjera, ku zyrtarët e Emirateve befasisht zgjedhin që në një takim të vetëm të presin bashkë biznesmenin nga Shqipëria dhe zëvendësministrin nga Kosova.


Apo kjo tjetra, ku Gjonaj shfaqet në një event me deputetin e Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti, me të cilin ka edhe lidhje biznesore.

Të dy janë pronarë në kompaninë “Top Fruits”, ish “Doni Frutis”, përmes së cilës dyshohet se kanë keqpërdorur 1.2 milionë euro grante e, për rrjedhojë, shteti shqiptar po kërkon që ata t’i kthejnë mjetet.
Përgjatë viteve të veprimtarisë së tij, Gjonaj është përmendur në shumë skandale korruptive në Shqipëri. Sipas mediave në Tiranë, emri i tij gjendet në dosjet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe si SPAK.
Ai dyshohet se ka pasur rol si “sekser teknik” në aferën korruptive të ish-presidentit Ilir Meta dhe, sipas raportimeve, është marrë edhe në pyetje.
Së fundmi, gazetarë në Shqipëri e lidhin me shfrytëzimin e afërsisë me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e akuzuar për korrupsion, për të siguruar toka kullotash me vendime të këshillave bashkiakë për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Është e çuditshme se si një individ i tillë, me kaq shumë skandale, futet në tregun energjetik në Kosovë dhe vendos ligjin aty.
Por çudia zvogëlohet kur sheh lidhjet e tij biznesore me pushtetarët në Kosovë.
Nga Martini te Marini, rruga nuk kalon nëpër rastësi, por nëpër pushtet – si e vetmja urë që i mban të pandërprerë zinxhirët e interesit.
