Nëna e Adionit kërkon falje publike për ofendimet ndaj Mimoza Ahmetit në “Ferma VIP”
Në një deklaratë të dhënë për televizionin “Vizion Plus”, Adelina Puka, nëna e Adionit, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar së fundmi në “Ferma VIP”, ku i biri ka qenë në qendër të kritikave për fjalorin e përdorur ndaj shkrimtares Mimoza Ahmeti.
Gjatë prononcimit të saj, ajo ka mbajtur një qëndrim të qartë distancimi nga sjellja e Adionit, duke kërkuar njëkohësisht edhe falje publike për familjen e autores.
“Dua që në emër të familjes të kërkoj falje publike për mënyrën e sjelljes dhe mënyrën e shprehjes se si u sjell Adioni. Nuk jemi ndjerë mirë për ato shprehje, është e pahijshme, por është akumuluar situata dhe në fund shpërtheu me një shprehje të pahijshme”, është shprehur ajo.
Më tej, Puka ka theksuar se situata ka qenë e tensionuar dhe se reagimi i të birit nuk përfaqëson qëndrimin e familjes.
Në fund të deklaratës së saj, ajo ka përsëritur ndjesën ndaj familjes së shkrimtares: “Më vjen keq shumë dhe kisha desht me i kërku falje dhe familjes së Mozës.”
Deklarata e saj vjen në një moment kur diskutimet rreth sjelljes së konkurrentëve në formatin televiziv kanë ngjallur reagime të shumta në rrjet dhe opinion publik. Megjithatë, mbetet për t’u parë se cilat do të jenë masat e marra nga produksioni.
