Wed, May 6, 2026

Sigurimet e jetës dhe hija e ndikimit të ProCredit Bank SHA

Sigurimet e jetës dhe hija e ndikimit të ProCredit Bank SHA
  • PublishedMay 6, 2026

Sigurimet e jetës dhe hija e ndikimit të ProCredit Bank SHA

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj ProCredit Bank SHA, duke pranuar se banka zotëron një pozitë dominuese në tregun e sigurimit të jetës për kreditë e saj, por pa arritur të konstatojë abuzim me këtë pozitë një përfundim që ngre pikëpyetje mbi standardin e ndërhyrjes në tregje me konkurrencë të kufizuar.

Sipas vendimit, pesha e bankës në treg, e kombinuar me pengesat për hyrje dhe kontrollin mbi momentin kyç të dhënies së kredisë, i japin asaj një avantazh të qartë ndaj klientëve dhe aktorëve të tjerë. Megjithatë, Autoriteti argumenton se nuk ka prova të mjaftueshme që kjo fuqi është përdorur për të shtrembëruar konkurrencën.

Konkurrenca ‘’prish marrëveshjen’’ Raiffeisen – SIGAL, por i fal nga gjoba! Skema për të përfituar nga kredimarrësit

Në fokus të hetimit ishte dyshimi për praktika të lidhura (tying), ku klientët mund të ndiheshin të detyruar të zgjidhnin sigurimin e jetës në kushte të diktuara nga banka. Edhe pse vetë analiza pranon se klienti ndodhet në një pozicion të varur në momentin e miratimit të kredisë, Autoriteti mjaftohet me konstatimin formal se zgjedhja e kompanisë së sigurimit mbetet teorikisht e lirë.

Një element që bie në sy është fakti se, në praktikë, shumica e sigurimeve janë realizuar pranë së njëjtës kompani sigurimi një tregues potencial i ndikimit indirekt të bankës, i cili megjithatë nuk është konsideruar i mjaftueshëm për të provuar abuzim.

Pavarësisht mbylljes së hetimit pa sanksione, Autoriteti ka vendosur disa masa korrigjuese. ProCredit Bank ndalohet të komunikojë me shoqëritë e sigurimit për klientët, për sa kohë nuk ka statusin e ndërmjetësit, dhe detyrohet të rrisë transparencën mbi përdorimin e të dhënave personale. Banka gjithashtu do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm.

Vendimi lë hapur debatin nëse një qasje më substanciale që merr parasysh realitetin praktik dhe jo vetëm formal do të kishte çuar në një përfundim tjetër, sidomos në një treg ku balanca e fuqisë mes bankës dhe klientit mbetet dukshëm e pabarabartë.