Fri, May 8, 2026

Mori direkt kallashin…si u qëllua me plumb në kokë biznesmeni Rexhep Ismaili

Mori direkt kallashin…si u qëllua me plumb në kokë biznesmeni Rexhep Ismaili
  • PublishedMay 8, 2026

Mori direkt kallashin…si u qëllua me plumb në kokë biznesmeni Rexhep Ismaili

Zbardhen rrethanat e vrasjes së Rexhep Ismailit dhe plagosjes së Kostandin Voglit mbrëmjen e kaluar në Qafë Gjashtë.
Nga hetimet rezultoi se rreth orës 21:20 shtetasit Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla kanë shkuar në lokalin e viktimës Rexhep Ismailit.

Grupi i personave është drejtuar për te tavolina ku ishte ulur shtetasi Tori Ruçi, që ndodhej në shoqërinë e Ismailit dhe persona të tjerë të pranishëm, dhe kanë filluar menjëherë t’i godasin me sende të forta këta shtetas.

“Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima Rexhep Ismaili i ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt.
Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi Lulzim Tabaku ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Rexhep Ismaili, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje”, tha në një konferencë për shtyp drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli, që u vetëdorëzua vetëm pak orë më parë në polici dhe pasi u mor në pyetje u transferua për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Vlorës.

Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se Hajredin Ismaili, vëllai i viktimës, ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë që u gjetën dhe sekuestruan nga Policia.

“Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip ‘Audi Q8’, fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, si dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve. Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi Lulzim Tabaku”, njoftoi Çela.

Ndërsa në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje. Policia tha se vijojnë aksionet për arrestimin e të dyshuarve, ndërsa ftoi qytetarët të bashkëpunojnë duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Të dyshuar:

Lulzim Tabaku, 37 vjeç – akuzuar për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Idriz Çela, 40 vjeç, Eljo Muço, 19 vjeç, Kostandin Vogli, 31 vjeç, Marjo Agalliu, 22 vjeç dhe Ermal Shkalla, 21 vjeç – akuzuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Hajredin Ismaili, 60 vjeç, vëllai i viktimës Rexhep Ismaili, procedohet penalisht.

Lidhur me motivin e ngjarjes, pavarësisht se zyrtarisht policia nuk ka dhënë sqarime zyrtare, dyshohet se mes grupit të Lulzim Tabakut dhe Tori Rucit, ka pasur mosmarrëveshje për pronat në bregdet.