J Balvin hap Kupën e Botës 2026, FIFA zbulon spektaklin madhështor
J Balvin do të jetë një nga emrat kryesorë që do të hapë spektaklin e madh të Kupës së Botës 2026, e cila nis më 11 qershor në Mexico City. FIFA ka konfirmuar se superylli kolumbian do të ngjitet në skenën e ceremonisë hapëse të turneut më të madh të futbollit në botë, në një event që pritet të ketë një shfaqje të fuqishme muzikore dhe kulturore.
Në një prononcim për CNN, Balvin e ka përshkruar këtë moment si një “deklaratë të rëndësishme” jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për përfaqësimin e muzikës latino-amerikane në arenën globale. Sipas tij, artistët latinë po arrijnë një ndikim gjithnjë e më të madh ndërkombëtar, duke ndryshuar dinamikat e industrisë muzikore.
Ceremonia hapëse do të sjellë në skenë edhe emra të tjerë të njohur si Alejandro Fernández, Belinda, Danny Ocean, Maná dhe Tyla, ndërsa elementi kulturor meksikan pritet të jetë në qendër të gjithë spektaklit që do të paraprijë ndeshjen e parë të turneut.
Balvin ka theksuar gjithashtu rritjen e ndikimit të muzikës latino në vitet e fundit, duke përmendur sukseset globale të artistëve si Bad Bunny dhe Karol G, si shembuj të këtij ekspansioni kulturor.
Paralelisht me këtë angazhim të madh, ai po vijon turneun “Ciudad Primavera” në Kolumbi, ku jo vetëm performon, por edhe mbështet artistët e rinj vendas, duke u rikthyer më pranë rrënjëve të tij artistike dhe kulturore.
