Sun, May 10, 2026

Tentuan të vrasin Mirash Gjikolën me tritol, shpallen në kërkim dy autorët

Tentuan të vrasin Mirash Gjikolën me tritol, shpallen në kërkim dy autorët
  • PublishedMay 10, 2026

Policia e Sarandës ka zbardhur atentatin me eksploziv të ndodhur në muajin shkurt të këtij viti në Konispol, ku objektiv ishte Mirash Gjikola, 57 vjeç.

Sipas policisë, pas hetimeve intensive janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes.

Në kërkim janë shpallur shtetasit Griseld Taullaj 39 vjeç dhe Xhafer Bajo, 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.

Për ta, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Nga hetimet rezulton se dyshohet që autorët kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi Mirash Gjikola, 57 vjeç, me qëllim eliminimin e tij.

Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi:

Tentuan të vrisnin me eksploziv një 57-vjeçar në muajin shkurt të këtij viti.

Pas hetimeve intensive, zbardhet ngjarja, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy autorët e dyshuar.

Si rezultat i një pune intensive hetimore nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, pas provave të grumbulluara dhe informacioneve të siguruara, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasve:

G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.

Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M. Gj., 57 vjeç, me qëllim vrasjen e tij.

Strukturat e Policisë vijojnë punën intensive për lokalizimin, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.