Mon, May 11, 2026

Titulli në “El Clasico”, Barça rishkruan historinë, Flick shpërthen në lot (VIDEO)

Titulli në “El Clasico”, Barça rishkruan historinë, Flick shpërthen në lot (VIDEO)
  • PublishedMay 11, 2026

Një titull në “El Clasico” ka gjithnjë një shije të veçantë, Barça “thyen” Realin 2-0 dhe siguron matematikisht titullin e 29-të në La Liga, pikërisht përballë rivalëve të përjetshëm, një titull që për tifozët blugrana do të kujtohet gjatë. Ekipi i Hansi Flick dominoi totalisht këtë edicion në Spanjë, këtë e vërtetojnë edhe shifrat, ku 3 javë përpara fundit të sezonit të rregullt krijoi një distancë prej 14 pikësh me Realin. Për ekipin e Arbeleo-s dhe për tifozët e Realit ky ishte skenari i fundit që mund të shmangnin, por as këtë nuk e arritën dot duke mbyllur totalisht një sezon të dështuar në çdo aspekt. Për herë të dytë radhazi, Barça arrin të mbrojë titullin në La Liga, diçka që nuk ndodhte që kur në fushë ishte Lionel Messi.

Ekipi i Hansi Flick zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë, më saktë brenda 18 minutash, me dy gola shumë të bukur. Fillimisht në minutën e 9-të ishte Marcus Rashford që ekzekutojë një goditje dënimi perfekte duke bërë që tifozët të shpërthenin në festë. Në të 18-të, Dani Olmo dhuroi një super asist për Ferran Torres me këtë të fundit që tundi rrjetën për herë të dytë. Me Realin të pafuqishëm për t’u rikthyer në lojë, Barcelona menaxhoi me qetësi pjesën e mbetur të “El Clasicos” duke bërë që në fund të festonin me trofeun në duar. Kjo ishte një mbrëmje shumë e veçantë edhe për Hansi Flick, pasi më herët, babai i tij kishte ndërruar jetë.

Mes lotësh, Flick u përshëndet me tifozët, duke ia dedikuar këtë trofe të veçantë stafit të tij, presidentit, lojtarëve, por dhe babit të tij: “Nuk do ta harrojë kurrë këtë ditë. Ishte një ditë e vështirë për mua, pasi më herët babai im ndërroi jetë. Kjo skuadër është si një familje për mua, japin gjithçka, gjithmonë. Kemi luajtur shumë mirë, kemi shënuar në momentet e duhura dhe u mbrojtëm me kujdes”, u shpreh Hansi Flick mes lotësh dhe përpara tifozëve.