Mendoi se ishte video sigurie, stjuardesa tregon si përfundoi në The Devil Wears Prada 2
Tanya Hutchinson, një stjuardesë që punon për United Airlines, ka përjetuar një kthesë të papritur në karrierën e saj pasi një audicion që mendonte se ishte për një video sigurie në avion, përfundoi duke e çuar në një film të Hollywood-it.
Ajo tregon se kishte aplikuar për një casting me idenë e thjeshtë se do të shfaqej në një video informuese për pasagjerët. Por në vend të kësaj, në ditëlindjen e saj mori një telefonatë surprizë: ishte përzgjedhur për një projekt filmi.
“Kur më thanë që nuk ishte video sigurie, por film, nuk e besova fare,” rrëfen ajo. Më pas ajo u bë pjesë e një skene në The Devil Wears Prada 2, ku interpreton një stjuardesë që i shpjegon një pasagjereje të rëndësishme rregullat e shërbimit në avion.
Në film ajo shfaqet përkrah aktorëve të njohur si Meryl Streep, Anne Hathaway dhe Stanley Tucci. Hutchinson thotë se përvoja ishte emocionuese, por edhe e frikshme në fillim, pasi ishte hera e parë që ndodhej në një set kaq të madh filmi.
Ajo shton se puna me aktorë të mëdhenj i ka treguar një anë tjetër të tyre: “Janë njerëz shumë normalë dhe të sjellshëm, thjesht shumë profesionistë.”
Hutchinson, e cila u rikthye në profesionin e stjuardesës pas viteve të dedikuara familjes, thotë se kjo përvojë është një nga momentet më të veçanta të jetës së saj dhe një kujtim që do ta mbajë gjithmonë.
