Wed, May 13, 2026

Djegia e dyqanit, babai i Noizyt dëshmon në Gjykatën e Posaçme: Ai dhe Kleviol Ahmeti kishin xhelozi

Djegia e dyqanit, babai i Noizyt dëshmon në Gjykatën e Posaçme: Ai dhe Kleviol Ahmeti kishin xhelozi
  • PublishedMay 13, 2026

Djegia e dyqanit, babai i Noizyt dëshmon në Gjykatën e Posaçme: Ai dhe Kleviol Ahmeti kishin xhelozi

Bashkim Rajku, babai i reperit Noizy, ka dhënë dëshminë e tij të mërkurën në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të procesit për bandën e Laert Haxhiut. Mes 15 akuzave kriminale që SPAK u ka ngarkuar të dyshuarve, përfshihet edhe “shkatërrimi me eksploziv” i një lokali të Rigles Rajkut dhe të atit të tij, të ndodhur në zonën e Currilave në Durrës më 8 qershor 2022. Për këtë shpërthim, SPAK akuzon të penduarin Artan Tafani, si dhe të pandehurit Lulëzim Spahia dhe Erisiano Abedini.

Dëshmia e Bashkim Rajkut mbi ngjarjen

Prokurori: A keni pasur ju ose ndonjë anëtar të familjes tuaj ndonjë aktivitet shërbimi në lagjen 13 në Durrës?

Rajku: Po. Një dyqan rrobash.

Prokurori: Ishte ky një investim i juaji?

Rajku: Po. Vajza ime është administratore, ndërsa unë jam pronari i biznesit.

Prokurori: A ka ndodhur ndonjë incident në atë lokal?

Rajku: Po, ka ndodhur diçka në vitin 2022. Unë isha në gjumë kur ndodhi ngjarja. Dëgjuam një shpërthim. Shkova poshtë dhe e gjetëm lokalin të shkatërruar.

Prokurori: Kush punonte në atë dyqan?

Rajku: Ka stafin, por kur ndodhi ngjarja, ai ishte i mbyllur.

Prokurori: Djali juaj, si quhet dhe me çfarë merret?

Rajku: Rigels Rajku. Është muzikant. Ai jeton në të njëjtin pallat, por në një apartament tjetër.

Nuk e mbaj mend nëse ai ishte aty atë natë.

Prokurori: Çfarë keni vënë re kur zbritët poshtë?

Rajku: Ishin thyer xhamat. E gjithë pjesa e përparme ishte dëmtuar, po ashtu edhe pjesa pas. Nuk mbaj mend nëse kishte kamera, por nuk kishte roje pallati.

Prokurori: A keni biseduar me djalin tuaj rreth kësaj ngjarjeje? Keni marrë ndonjë mendim prej tij, se kush mund ta ketë bërë?

Rajku: Nuk e di. Ne nuk kemi pasur ndonjë konflikt me askënd, por tani, ndoshta për shkak të xhelozisë ose problemeve rinore, nuk e di. Pas katër vjetësh, e kam dëgjuar në TV, sepse as nuk e dija se kush mund ta kishte bërë.

Prokurori: A e keni dëgjuar emrin Kleviol Ahmeti?

Rajku: Po, emrin Kleviol Ahmeti e kam dëgjuar. E di që është artist, merret me muzikë dhe me rrjetet sociale. Më duket se kanë pasur fërkime të vogla, për shkak të xhelozisë dhe konkurrencës. Më duket se është nga Lushnja.

Prokurori: Xhelozi për çfarë?

Rajku: Për punë muzike. Përveç kësaj, nuk di të ketë pasur ndonjë konflikt fizik ose verbal.

Reperi Noizy nuk u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme. Fletëthirrja për të do të përsëritet. Ndërkohë, për seancën e datës 28 maj, do të njoftohen edhe disa dëshmitarë të tjerë, përfshirë Kleviol Ahmetaj, i njohur si “Cllevio”.