Wed, May 13, 2026

Hapësirat civile në Ballkanin Perëndimor po tkurren

Hapësirat civile në Ballkanin Perëndimor po tkurren
  • PublishedMay 13, 2026
Protesta e banorëve te Durrësit & Rrjollit përpara Parlamentit pë pronat | Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Rrjeti i Zhvillimit të Shoqërisë Civile në Ballkan (BCSDN), në partneritet me Forumin Civil Europian (ECF) mori pjesë në prezantimin e raportit vjetor mbi shoqërinë civile, që u zhvillua në Parlamentin e Europës në Bruksel më 13 Maj, 2026.

Një kapitull i veçantë i këtij raporti, i cili iu dedikua vendeve të Ballkanit Perëndimor, nxjerr në pah një trend shqetësues lidhur me degradimin e mjedisit dhe kushteve ku operon shoqëria civile në Ballkan përgjatë vitit të fundit.

Raporti thekson se formalisht vendet e Ballkanit Perëndimor garantojmë liritë civile, por në realitet klima po bëhet gjithmonë e më armiqësore për ata që flasin në mënyrë kritike.

“Organizatat e shoqërisë civile po përballen me presion, stigmatizim dhe pasiguri. Ky është një paralajmërim i qartë se garantimi i hapësirës civile në fakt duhet kthyer në një kusht thelbësor për aksesin në BE, dhe jo një temë dytësore”, shkruan raporti i ECF.

Sipas monitorimit, hapësira e shoqërisë civile në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi kategorizohet si e “ngushtuar”, në Bosnjë dhe Hercegovinë si e “penguar”, dhe në Serbi si e “shtypur”.

Disa prej sfidave kryesore që përballet shoqëria civile në vendet e Ballkanit Perëndimor identifikohen si qëndrueshmëria financiare e rrezikuar, sulmet e koordinuara, pasiguria ligjore, procedurat formale të konsultimit, dhe tkurrja e hapësirës së sigurt civile.

Prerja në mënyrë drastike e fondeve të USAID ndikoi në mosfunksionimin e programeve kryesore të organizatave të shoqërisë civile, duke i detyruar ato të ndalojnë shumë prej aktiviteteve të tyre”, identifikon raporti si një prej faktorëve kryesorë të pasigurisë financiare të OSHC-ve gjatë vitit të fundit.

Nga ana tjetër, sipas monitorimit, financimi publik ngelet shpesh i dobët dhe i kontrolluar nga politika.

Sulmet ndaj gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile janë një tjetër shqetësim që ngre raporti i ECF.

“Në Shqipëri, gazetarët përballen me presion publik dhe sulme të koordinuara”, citon raporti, duke shtuar se këto sulme nuk ndiqen në mënyre efektive dhe si pasojë krijojnë një efekt censurues tek zërat kritikë.

Lidhur me klimën në Shqipëri, raporti thekson më tej se gazetaret gra në Shqipëri përballen me gjuhë urrejtje dhe ngacmim me bazë gjinore, teksa shoqëria civile ndërmori hapa ligjorë ndaj iniciativës së qeverisë për mbylljen e platformës Tik Tok.

Edhe procesi i konsultimit së politikbërjes me shoqërinë civile duket se në fakt ngelet në dimension formal, me implementime të dobëta në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Procesi i konsultimit dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje në Ballkanin Perëndimor identifikohet si jo konsistent, me ndryshime në mënyrën se si shoqëria civile përfshihet në këto procese”, theksojnë autorët nga BCSDN.

Në Shqipëri, edhe pse një projektligj mbi lobimin u prezantua si një hap përpara për më shumë transparencë në politikbërje, organizatat e shoqërisë civile ngritën shqetësime se përcaktimi i gjerë i termit ‘lobim’, dhe mungesa e përjashtimeve të qarta për advokimin në interes të publikut, mund të impononte detyrime jo proporcionale dhe të limitonte pjesëmarrjen e OSHC-ve në procesin e politikbërjes.

Një tjetër sfidë që hasin aktivistët e shoqërisë civile në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor është pasiguria ligjore e OSHC-ve, e cila është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, sipas evidentimeve të raportit.

“Në Shqipëri, ekzistojnë shqetësime të vazhdueshme lidhur me kërkesat e reja për regjistrimin e OSHC-ve, si edhe lidhur me vonesat në hartimin e një kornize funksionimi të këtij regjistri për OSHC-të”, citojnë gjetjet.

Hapësira civile në tkurrje nga ana tjetër po ndikohet ndjeshëm nga faktorë si frika, vetë-censurimi, përndjekja, si edhe mungesa e masave efektive mbrojtëse ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe aktorëve të shoqërisë civile.

“Në Shqipëri qarkulluan fushata dezinformimi  të cilat prekën edhe sferën legjislative në mbështetje të reformave për barazinë gjinore”, thekson raporti.

Gjetjet për Shqipërinë tregojnë gjithashtu se në sferën digjitale qytetarët shqiptarë u përballën me tentativa mashtrimi financiar, tentative për vjedhje identiteti, si edhe njoftime të rreme shëndetësore që qarkullonin në aplikacionet online, duke ulur kështu sigurinë e hapësirës civile.