IKMT konfirmon “zhytjen” e dy pallateve në projektin miliardësh të Durrës Marina
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, IKMT, pranoi zyrtarisht të mërkurën problemet e rënda strukturore në dy prej godinave të projektit luksoz “Durrës Yacht & Marina” të invesitorit nga Emiratet e Bashkuara, Mohamed Alabbar. Një inspektim i posaçëm ka zbuluar se pallatet që po ndërtohen aty kanë pësuar ulje në disnivele që shkojnë deri në 28 centimetra.
Në një deklaratë për shtyp, IKMT njoftoi se ngriti një grup të përbashkët kontrolli pas shqetësimeve të ngritura për “qëndrueshmërinë dhe sigurinë” e objekteve. Ky grup përfshinte inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, IMT-së së Bashkisë Durrës dhe specialistë nga Instituti i Ndërtimit.
Fokusi i verifikimit ishin dy objekte banimi dhe shërbimi, të pajisura me leje ndërtimi në shtator të vitit 2023 nga Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT. Këto objekte, të cilat variojnë nga 6 deri në 10 kate mbi tokë me parkime nëntokësore, ndodhen sipas IKMT-së në zonat e menaxhimit A02 dhe A04 ku ndërtimi ka përfunduar dhe aktualisht janë në fazën e sistemimeve të jashtme.
Përfundimet e raportit topografik të hartuar nga Instituti i Ndërtimit, sipas deklaratës së IKMT-së, janë shqetësuese dhe konfirmojnë denoncimet.
“Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se: Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm; Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm”, thuhet në deklaratë.
IKMT bën me dije se i ka kërkuar zyrtarisht kompanisë zbatuese që të ndërhyjë urgjentisht për të përforcuar godinat.
“IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave,” thuhet në njoftim.
Gjithashtu, IKMT sqaron se çdo projekt përforcimi i propozuar nga kompania zbatuese, para se të nisë zbatimin, do të duhet të miratohet nga autoritetet përkatëse ligjore për të siguruar respektimin e kushteve teknike.
IKMT nuk përmend arsyet se pse ka ndodhur fundosja. Megjithatë, sipas denoncimit të bërë fillimisht në emisionin “Piranjat” në Syri TV nga sinjalizues dhe nënkontraktorë brenda kantierit, të cilat paraprinë dhe nxitën inspektimin e IKMT-së, shkaku kryesor i kësaj zhytjeje lidhet me masat e munguara inxhinierike në themele dhe se zona e portit është një terren ranor dhe i paqëndrueshëm.
Problemet inxhinierike me ndërtimet e reja janë vetëm hallka e fundit në një zinxhir zhvillimesh kontroverse rreth portit të Durrësit.
Projekti u miratua si investim strategjik fillimisht në dhjetor 2021 me subjekt aplikues “Symphony Real Estate Development sh.p.k”. Më pas, Komiteti i Investimeve Strategjike vendosi të transferojë statusin “investitor strategjik” tek një shoqëri e posaçme e krijuar me përbërjen e shoqërive publike “Albanian Seaports Development Company (ASDC)” sha, dhe asaj private “Eagle Hills Real Estate Development”. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Janar 2023, projekti i konsideruar nga kryeministri Edi Rama, si investimi më i madh i huaj në Shqipëri do të kushtonte mbi 2 miliardë euro.
Nga ana tjetër, zhvillimi i këtij mega-projekti imobiliar solli nevojën e zhvendosjes së operacioneve portuale tregtare, por ndërtimi i një porti të ri në zonën e Porto Romanos po has në vështirësi, pas dështimit të tenderit për ndërtimin e tij.
