Wed, May 13, 2026

Ka diçka më të mirë për ju te Rolling Hills

Ka diçka më të mirë për ju te Rolling Hills
  • PublishedMay 13, 2026

SPAK lexon në gjyq SMS-të e Samir Mane për
Kryemadhin: Ka diçka më të mirë për ju te Rolling Hills

Në GJKKO është zhvilluar të hënë seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta.

Gjatë seancës, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, lexoi një sërë komunikimesh telefonike që lidhen me një episod të dyshuar korrupsioni mes Metës, Monika Kryemadhi dhe biznesmenit Samir Mane.

Sipas SPAK, bëhet fjalë për ndryshime të pretenduara në ligjin për minierat, ku në këmbim dyshohet se është ofruar një vilë në kompleksin Rolling Hills. Prokurori deklaroi se nga bisedat e zbardhura rezulton se Kryemadhi i ka shkruar biznesmenit: “Te pallati a ke për ne?!”, ndërsa Mane i është përgjigjur: “Ka diçka më të mirë për ju te kompleksi Rolling Hills”.

Sipas akuzës, vila me numër 103 ishte përzgjedhur nga palët, ndërsa në telefonat e sekuestruar janë gjetur SMS, foto dhe komunikime mbi arredimin e pronës. SPAK pretendon se në projekt është përfshirë edhe një arkitekt italian, ndërsa arredimi i vilës është ndjekur nga Ema Çoku.

Në seancë u lexuan gjithashtu komunikime ku pretendohet se Meta kishte kërkuar që vila të ishte e pajisur edhe me sauna. Sipas SPAK, Kryemadhi kishte marrë përsipër të ndikonte për amendimin e ligjit të minierave, ndërsa propozimi në komision parlamentar është bërë nga deputetja Esmeralda Shkjau.

Prokuroria pretendon se amendimet janë reflektuar në ligj sipas formulimeve të diskutuara në SMS mes Manes, Kryemadhit dhe ish-deputetit Përparim Spahiu.

Organi i akuzës theksoi se kjo pasuri konsiderohet si përfitim i parregullt i lidhur me ndikimin në procesin ligjvënës për sektorin minerar. Ndërkohë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë mohuar vazhdimisht akuzat e ngritura ndaj tyre.