Thu, May 14, 2026

Lufta në Lindjen e Mesme, Formula 1 kërkon rikthimin e garave të pezulluara

Lufta në Lindjen e Mesme, Formula 1 kërkon rikthimin e garave të pezulluara
  • PublishedMay 14, 2026

Formula 1 po shqyrton seriozisht mundësinë për të rikuperuar garat e pezulluara në Bahrejn dhe Arabinë Saudite gjatë sezonit 2026. Situata e krijuar nga konfliktet në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një ndërprerje 5-javore në kampionat, një skenar që nuk ishte parë prej dekadash në këtë sport. Drejtuesit e Formulës 1 dhe “Liberty Media”- s kanë konfirmuar se po punojnë intensivisht për të rikthyer të paktën njërën nga garat e anuluara.

Arabia Saudite konsiderohet opsioni më i mundshëm, pasi ndodhet më larg zonave të konfliktit dhe ofron më shumë siguri për zhvillimin e eventit. Një nga alternativat kryesore është që gara të zhvillohet në fund të sezonit, mes Çmimit të Madh të Azerbajxhanit dhe Singaporit, ose edhe pranë garës finale në Abu Dhabi.

Megjithatë, ndryshimet në kalendar sjellin sfida të mëdha logjistike për skuadrat dhe organizatorët. Edhe vende të tjera si Turqia, Imola dhe Portugalia janë përmendur si pista rezervë në rast emergjence, por ato nuk konsiderohen prioritet për momentin.

Drejtori i Dakarit, David Castera, deklaroi se Arabia Saudite mbetet e gatshme për të organizuar aktivitete sportive ndërkombëtare, duke shtuar optimizmin për rikthimin e Formula 1 në Xhedah. Pavarësisht planeve, Formula 1 vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë fleksibilitet në kalendar, duke vendosur sigurinë e skuadrave dhe pilotëve mbi gjithçka tjetër.