Fri, May 15, 2026

Ermal dhe Marsel Licaj dy fierakët e kokainës në Danimarkë e Suedi

Ermal dhe Marsel Licaj dy fierakët e kokainës në Danimarkë e Suedi
  • PublishedMay 15, 2026

Dyshues si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal që ka trafikuar heroinë drejt Danimarkës në të paktën 7 raste, SPAK ka zbatuar masat e sigurisë të vendosura nga GJKKO për dy vëllezër nga Fieri.

SPAK njoftoi se më 14 maj, u arrestua Marsel Licaj, i cili dyshohet se është përfshirë në 7 raste të trafikut të narkotikëve, ndërsa ndaj Ermal Licajt janë ekzekutuar masa detyrimi për paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit.

Vëllezërit e Fierit janë rikthyer në Shqipëri pas arrestimit në Danimarkë të dy shqiptarëve të tjerë dhe një shtetasi të huaj, ku një prej shqiptarëve të arrestuar atje ishte kunati i tyre.

Operacioni u realizua në bashkëpunim mes SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe autoriteteve daneze.

Sipas SPAK, të dy akuzohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, të kryera si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal”.

Hetimet nga SPAK kanë filluar në vitin 2024, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet daneze, të cilat kishin nisur hetimin “Operacioni Bacchus” në vitin 2023.

Në njoftim theksohet se grupi kriminal, përbërë nga shqiptarë dhe të huaj, dyshohet se ka trafikuar heroinë nga Suedia në Mbretërinë e Danimarkës në të paktën shtatë raste, gjatë periudhës 1 tetor 2023 – 23 janar 2024.

Lënda narkotike përzihej me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, për t’u shpërndarë më pas në tregun danez me qëllim rritjen e fitimeve.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë vendosjen e masave të sigurimit për dy shtetasit M. L. (alias G.) dhe E. L., në kuadër të procedimit nr. 55 të vitit 2024, për veprat penale:

“Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, sipas nenet 283/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”;

“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes, sipas nenit 333/a/2 të Kodit Penal.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata me vendimin e saj nr. 28, datë 14.5.2026, vendosi të caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” për M. L. (alias G.), si dhe masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për E. L.

Hetimet për këtë çështje penale janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet daneze dhe Byroën Kombëtare të Hetimit (BKH).

Autoritetet daneze, në gusht 2023, kanë regjistruar procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23 – “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, kishin zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së heroinës në Mbretërinë e Danimarkës.

Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilave, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar heroinë në Mbretërinë e Danimarkës përmes kufirit të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar është përgatitur për shitje në tregun danez, e përzierë me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, për të maksimizuar fitimet.

Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri tani janë identifikuar dhe proceduar në Danimarkë 3 persona (dy shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri janë identifikuar 2 (dy) shtetas shqiptarë të tjerë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka realizuar ekzekutimin e masave të sigurimit personal për të dy shtetasit e hetuar.

Hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me përfshirjen e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë angazhuar në këto veprime të paligjshme.