Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë për gjuhën shqipe, i mbështet edhe Bebe Rexha
Bebe Rexha ka shprehur mbështetjen ndaj studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Në llogarinë e saj Instargram, Bebe ka ndarë thirrjen për protestë, ku me një mesazh mbështetjeje në prag të marshimit të madh të 18 majit, ylli me origjinë shqiptare i ka dhënë kësaj beteje përmasa të mëdha. Tashmë falë saj, kauza e studentëve shqiptarë për gjuhën amtare mori vëmendje të jashtëzakonshme.
“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë, kemi luftuar ta ruajmë dhe ta mbajmë gjallë.
Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet e tij, ku gjuha shqipe njihet si gjuhë bashkëzyrtare.

Studentët po protestojnë kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe këtë të hënë që vjen.
Studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët.”, shkruan Bebe Rexha.
Reagimi i artistes vjen në prag të protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë, e cila do të mbahet të hënën, më 18 maj, në orën 16:30, me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”. Protesta organizohet me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe.
Kauza e studentëve ka marrë mbështetje të gjerë nga figura politike, publike dhe organizata shqiptare në mbarë Ballkanin
