Mon, May 18, 2026

NBA/ Dominim dhe spektakël, Cleveland triumfon ndaj Pistons dhe siguron finalen në Lindje

NBA/ Dominim dhe spektakël, Cleveland triumfon ndaj Pistons dhe siguron finalen në Lindje
  • PublishedMay 18, 2026

Spektakël dhe dominim absolut nga Cleveland Cavaliers, që fitojnë ndeshjen vendimtare ndaj Detroit Pistons dhe sigurojnë kualifikimin në finalet e Konferencës së Lindjes për herë të parë që nga viti 2018.

Në “Rocket Mortgage FieldHouse”, skuadra e drejtuar nga trajneri Kenny Atkinson triumfoi bindshëm me rezultatin 125-94, duke kontrolluar sfidën që në sekondat e para të lojës.

Cavaliers dominuan plotësisht në zonën poshtë koshit, ku realizuan 58 pikë kundrejt 34 të Detroitit, ndërsa fituan edhe betejën e kërcimeve me shifrat 50-41. Lideri i ekipit ishte Donovan Mitchell me 26 pikë dhe 8 asistime, i mbështetur nga një paraqitje shumë e fortë e Jarrett Allen, autor i 23 pikëve dhe 7 kërcimeve. Ndeshje të kompletuar zhvilloi edhe Evan Mobley me 21 pikë, 12 kërcime dhe 6 asistime. Vendimtar rezultoi edhe kontributi nga stoli i Sam Merrill, që realizoi 23 pikë dhe pesë goditje të sakta nga distanca.

Në krahun tjetër, Detroit zhvilloi paraqitjen më të dobët të fazës play-off. Cade Cunningham u ndal në 13 pikë me përqindje të ulët gjuajtjeje, ndërsa Jalen Duren vuajti nën dominimin fizik të lojtarëve të Cleveland-it.

Me këtë fitore, Cavaliers rikthehen mes katër skuadrave më të mira të NBA-së pas epokës së LeBron James dhe tashmë do të sfidojnë New York Knicks për një vend në finalet e mëdha të kampionatit amerikan të basketbollit.