Mon, May 18, 2026

Shqiptari Baki Goxhaj u arrestua nga Izraeli duke çuar ndihma në Gaza, flet gruaja: Nuk dimë asgjë

Shqiptari Baki Goxhaj u arrestua nga Izraeli duke çuar ndihma në Gaza, flet gruaja: Nuk dimë asgjë
  • PublishedMay 18, 2026

Bashkëshortja e Baki Goxhajt, në një intervistë, është shprehur se që prej orës 10:00 të mëngjesit, ka humbur kontaktet me të dhe se nuk ka asnjë dijeni për vendndodhjen e tij.

“Rreth orës 10 të mëngjesit kemi humbur kontaktet. Nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Bakiu kishte rreth 3 javë që ishte bërë pjesë e misionit të flotiljes ndërkombëtare, ku ndodheshin anëtarë nga 50 shtete të ndryshme dhe nga Shqipëria, për herë të parë, ishte Bakiu. Procesi ka nisur në muajin mars dhe nevoja për të qenë pjesë e kësaj ishte për shkak të asaj që kemi parë aq rëndë në këto 2 vite e gjysmë gjenocid.

Jemi përpjekur të lëvizim si një qytet i Tiranës, por njeriu ka nevojë të bëjë më shumë se fjala. Ne jemi besimtarë myslimanë, jemi të gëzuar që ka ende njerëzillëk dhe nuk ka nevojë të jesh besimtar që të ndjesh dhimbjen e fëmijëve që kapin trupin e prindërve të humbur apo prindërve që shtrëngojnë fëmijët në gjoks të gjakosur. Nëse njeriu nuk e ndjen këtë dhimbje, dyshoj nëse ka ndjesi njerëzore.

Flotat detare për të thyer rrethimin e paligjshëm në Gaza kanë nisur që nga viti 2008 dhe kanë arritur për herë të parë ta thyejnë këtë bllokadë, duke dhënë shpresë se mund të vijojë me sukses edhe në vazhdimësi. Në vitin 2010, Izraeli ka vrarë 9-10 aktivistë që po tentonin të hynin në Gaza. Ata nuk ndodheshin në ujërat territoriale të Izraelit, por në ujëra ndërkombëtare.

Bakiu ishte bërë pjesë e delegacionit të Freedom Flotilla në Itali dhe nisjen e ka bërë nga Kreta. Gjatë gjithë kohës kemi qenë në pritje, pasi informacionet nuk kanë qenë të plota dhe është ruajtur diskrecioni për sigurinë e misionit. Ka rreth 2 javë që janë nisur dhe kanë bërë një ndalesë në Turqi për të siguruar edhe mbështetje diplomatike, me qëllim që të shoqëroheshin nga një anije mbrojtëse.

Kam komunikuar çdo ditë dhe dukej se këto ishin ditët kur po i afroheshin objektivit. Ata ndodheshin rreth 400-500 kilometra larg Gazës. Këto misione humanitare nuk organizohen nga shteti. Kam kontaktuar me Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën shqiptare në Izrael. Kanë kaluar kaq shumë orë dhe nuk ka asnjë informacion, qoftë edhe për vendndodhjen. Unë kam 3 fëmijë të vegjël, nga 3 deri në 8 vjeç, dhe jemi të gjithë në ankth për babin”, tha Eriselda Balliu.