Vanessa Trump flet hapur për betejën me kancerin e gjirit: Mbetem e fortë dhe optimiste
Vanessa Trump ka ndarë me ndjekësit e saj një lajm të vështirë personal, duke zbuluar se është diagnostikuar me kancer gjiri. Ish-bashkëshortja e Donald Trump Jr., 48 vjeç dhe nënë e pesë fëmijëve, bëri të ditur përmes një postimi në Instagram se ka nisur tashmë trajtimin dhe po përballet me këtë sfidë me forcë dhe optimizëm.
Në mesazhin e saj, Vanessa tregoi se po punon ngushtë me ekipin mjekësor për të ndjekur planin e duhur të trajtimit, ndërsa zbuloi se në fillim të kësaj jave i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Kohët e fundit më diagnostikuan me kancer në gji. Edhe pse ky është një lajm që askush nuk dëshiron ta dëgjojë, po punoj ngushtë me ekipin tim mjekësor për planin e trajtimit”, shkroi ajo.
Pavarësisht situatës së vështirë, Vanessa u shpreh se po e përballon këtë periudhë e rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e familjes dhe njerëzve më të afërt.
“Mbetem e fokusuar dhe optimiste, e rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e familjes sime, fëmijëve të mi dhe njerëzve më të afërt”, u shpreh ajo.
Pas ndarjes së lajmit, reagimet nuk munguan. Shumë figura publike dhe familjarë i dërguan mesazhe mbështetjeje dhe urime për shërim të shpejtë. Mes tyre ishte edhe Ivanka Trump, e cila reagoi publikisht me fjalë inkurajuese.
Edhe vajza e saj e madhe, Kai, emocionoi ndjekësit me një dedikim prekës në rrjetet sociale, duke publikuar një foto me të ëmën dhe duke e quajtur: “Personi më i fortë që njoh. Të dua.”
Vanessa Trump po përballet tani me një nga sfidat më të mëdha të jetës së saj, ndërsa mbështetja e familjes dhe e të afërmve duket se po i jep forcë në këtë betejë.
