Thu, May 21, 2026

Konsensusi për rregulloren e Kuvendit: PD fiton minutat, PS ruan komisionet

Konsensusi për rregulloren e Kuvendit: PD fiton minutat, PS ruan komisionet
  • PublishedMay 21, 2026
Deputetët socialistë dhe demokratë në Këshillin e Mandateve, Rregullores dhe Imuniteteve. Foto kortezi: Kuvendi i Shqipërisë.

Pas negociatave të realizuara jashtë kamerave, socialistët dhe demokratët u mblodhën të enjten në sallën “Gerti Bogdani” në godinën kryesore të Kuvendit për të finalizuara një konsensus politik mbi rregullat e funksionimit të jetës parlamentare, vetëm pak orë para se dokumenti i negociuar të votohej në seancë plenare.

Anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin arritën të finalizonin një draft të përbashkët duke hequr dorë nga propozimet fillestare të depozituara në Kuvend përpara afatit kohor të imponuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e rrëzoi procedurën parlamentare me të cilën ishin miratuar ndryshimet e mëparshme në shtator.

Ndryshimet e reja duket se kënaqin kërkesat e të dyja palëve.

Mazhoranca hoqi dorë nga shkurtimi i kohës për diskutimet e deputetëve në parlament, propozim që konsiderohej nga opozita si pengesë për rolin e tyre, dhe nga procedura e përshpejtuar për ligjet e integrimit, e cila do të zbatohet vetëm në rastet kur argumentohet nevoja nga ana e qeverisë.

Por socialistët arritën të ruanin arkitekturën e re parlamentare me 11 komisione dhe nuk rikthyen komisionin e posaçëm për integrimin, pavarësisht kërkesës së opozitës e cila kishte pasur drejtimin e këtij komisioni.

Rregullat e reja bëjnë një qartësim të kompetencave mes Komisionit të Ligjeve dhe komisionit të krijuar rishtas për “nismat qytetare”, që drejtohet nga Fatmir Xhafaj.

Pas një konfuzioni në procesin e raportimit të institucioneve të pavarura në këto dy komisione, rregullorja e re saktëson se raportimi do të bëhet në Komisionin e Ligjeve dhe më pas drejtuesit e tyre do të paraqiten para komisonit “Xhafaj” për miratimin e rezolutës së Kuvendit, një dokument që bazohet mbi ecurinë vjetore dhe zbatimit të rekomandimeve të vendosura nga Kuvendi.

Nga ana tjetër raportimi në seancë plenare do të jetë i detyruar vetëm për një numër të reduktuar institucionesh kushtetuese, të cilët e kanë këtë gjë si detyrim të shprehur në Kushtetutë.

Në këtë kuadër, kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, dhe disa institucione të tjera të pavarura apo të krijuara me ligj, nuk do të raportojë më në sallën e parlamentit por vetëm në komisionet parlamentare.

Me miratimin e disa propozimeve të opozitës, ndryshimet e reja synojnë forcimin e kontrollit parlamentar ndaj institucioneve duke sanksionuar detyrimin e tyre për të kthyer përgjigje për kërkesat për informacion nga deputetët dhe për t’u paraqitur në seanca dëgjimore në komisione me kërkesë të 1/3 së deputetëve anëtarë.

Në rregullore u sanksionua dhe e drejta e deputetëve për të mbështetur vetëm një kandidat me firmë në rastet e kandidatëve për institucionet e pavarura, ndryshim që u nxit nga kontestimet që shoqëruan zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

U pranua një tjetër kërkesë e opozitës për mënyrën si do të funksionojë Komisioni për Etikën dhe procedurat e vendosjes e pezullimit të masave disiplinore, si dhe rrijta e numrit të këshilltarëve politikë për grupin parlamentar të PD-së, duke e barazuar atë me grupin socialist.

Me miratimin me konsensus, palët zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila në muajin shkurt shfuqizoi vendimin e njënashëm të mazhorancës për ndryshimet në rregullore “për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve”.

Gjykata vlerësoi se mënyra sesi mazhoranca kishte vepruar me miratimin e ndryshimeve “ka vënë në pamundësi deputetët, në mënyrë të veçantë ata të pakicës parlamentare, për të ushtruar lirisht të drejtat që u burojnë atyre nga statusi i deputetit”.