Pride 2026: Një thirrje për të qëndruar BASHKË
Parada e Krenarisë nuk është vetëm një ngjarje simbolike, ajo është një thirrje që kremton identitetin dhe të drejtat e komunitetit LGBTI+. Parada e këtij viti do të zhvillohet si zakonisht në Tiranë më 23 Maj me moton “Bashkë për Familjen”.
Aktivistët e komunitetit i thanë BIRN se mesazhi kryesor që synohet të përcillet nëpërmjet këtij slogani është ai i të qënit bashkë, solidaritetit dhe dashurisë që komuniteti merr, pavarësisht sulmeve apo tentativave të dezinformimit.
Livia Zotrija, aktiviste tashmë prej vitesh për të drejtat e komunitetit LGBTI, i tha BIRN se përmes sloganit të sivjetshëm, ata duan të kujtojnë se askush nuk duhet të përballet i vetëm me frikën, paragjykimin dhe pasigurinë.
“Motoja e këtij viti ‘Bashkë për familjen’ vjen në një moment kur shumë njerëz po ndjejnë një valë urrejtjeje, përjashtimi dhe dezinformimi,” tha Zotrija nga Aleanca LGBT për BIRN.
Për të, familja nuk është një model i vetëm apo një përkufizim i ngurtë, por përkthehet në kujdes, dashuri, solidaritet dhe mbështetje.
“Familja për ne është ai person që të qëndron pranë, kur bota bëhet e vështirë. Është komuniteti që të mban, të dëgjon dhe të ndihmon të mos dorëzohesh,” tha Zotrija.
Ngjashëm, Zhaklin Lekatari i tha BIRN se motoja “Bashkë për familjen” është në vetvete një përgjigje ndaj një narrative që prej vitesh përpiqet ta paraqesë komunitetin LGBTI+ si “kundër familjes”, kur në fakt shumica e njerëzve “queer” kërkojnë pikërisht atë që kërkon çdo njeri: dashuri, siguri, përkatësi dhe të drejtën për të jetuar pa frikë.
“Ky slogan synon të rikthejë debatin tek humania,” tha Lekatari, aktiviste për të drejtat e njeriut.
“Për vite me rradhë është krijuar ideja sikur ekzistenca e personave LGBTIQ+ ‘kërcënon’ familjen apo shoqërinë, kur në fakt ajo që kërcënon realisht familjen është dhuna, urrejtja, përjashtimi dhe mungesa e empatisë,” vijoi Lekatari.
Edhe Edlira Mara, koordinatore pranë ProLGBT dhe Historia Ime, u shpreh se në fakt ky slogan personifikon idenë që komuniteti i tyre nuk është jashtë familjes, por është pjesë e saj.
“Komuniteti ynë nuk është kundër familjes, ashtu siç janë përhapur narrativat dezinformuese. Të drejtat tona nuk e kërcënojnë familjen, përkundrazi e forcojnë atë duke përfshirë çdo individ me respekt dhe dashuri, ashtu siç po i rrisim edhe ne vajzat tona si një familje LGBT,” tha Mara.
Aktiviste prej vitesh ndaj kauzës LGBTI+ në Shqipëri, Zotrija, Lekatari dhe Mara i thanë BIRN se parada e krenarisë së këtij viti është një thirrje për të qëndruar bashkë jo vetëm si komunitet, por si shoqëri.
“Sepse urrejtja mund të bëjë zhurmë, por ajo kalon. Ndërsa lidhjet njerëzore, kujdesi dhe dashuria mbeten,” tha Zotrija.
Sipas aktivisteve, sfidat kryesore që has komuniteti gjatë organizmit të paradës dhe pas saj, janë klima e tensionuar dhe vala e vazhdueshme e gjuhës së urrejtjes që shpesh shoqëron marshimin, por edhe temat e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.
“Kur përballesh çdo ditë me sulme, dezinformim apo tentativa për të të bërë të ndihesh i padëshiruar, organizimi i një eventi kaq të madh kërkon shumë forcë emocionale dhe shpirtërore”, pohoi Livia Zotrija mbi vështirësitë kryesore që shoqërojnë këtë aktivitet.
Edhe Edlira Mara pranoi ngjashëm se gjuha e urrejtjes dhe paragjykimi mbeten disa elementë të cilët ndikojnë në punën, jetën dhe mirëqënien e personave LGBTI.
“Kanë kaluar vite dhe ende persona të komunitetit LGBT hezitojnë të dalin publikisht, ose fshihen duke mbuluar fytyrën nga frika e bullizmit, sulmeve verbale apo ekspozimit”, tha koordinatorja e ProLGBT/HistoriaIme.
Mara u shpreh se parada në fakt shërben pikërisht si një event që tregon se personat LGBTI+ ekzistojnë, meritojnë respekt dhe kërkojnë të jetojnë me të njëjtat të drejta dhe dinjitet si çdo qytetar tjetër taksapagues.
Sipas Zhaklin Lekatarit, një tjetër sfidë është edhe hipokrizia sociale, pasi shumë njerëz e mbështesin kauzën LGBTIQ+ privatisht, por heshtin publikisht nga frika e paragjykimit.
“Kjo e bën barrën mbi aktivistët edhe më të rëndë, sepse një grup i vogël njerëzish përballen vazhdimisht me gjithë tensionin publik,” tha ajo.
Pavarësisht sfidave, aktivistet shprehen optimiste se mbështetja e vazhdueshme e komunitetit, e aleatëve, e familjeve, e miqve dhe qytetarëve që zgjedhin të mos heshtin i ka bërë ato të mos dorëzohen.
“Ka diçka shumë të fortë te fakti që njerëzit refuzojnë të zhduken nga frika. Edhe një prind që del përkrah fëmijës së vet, një mik që marshon, një person që guxon të thotë ‘unë ekzistoj’ bëhet një formë shprese për të tjerët”, tha Lekatari mbi motivimin që e bën komunitetin të vazhdojë përpara.
Ngjashëm u shpreh edhe aktivistja Livia Zotrija, e cila i tha BIRN se çdo mesazh solidariteti, çdo person që ecën krah tyre në Pride, u kujton atyre pse vazhdojnë.
“Kjo është arsyeja pse këtë vit mesazhi ynë është kaq i fortë: vala kalon, por ne mbetemi. Bashkë!”, përfundoi aktivistja Zotrija nga Aleanca LGBT.
