Sun, May 24, 2026

“Nëndetësja” humbet krahun e majtë ndaj Elbasanit, rikthime me peshë në skuadrën e Ilir Dajës

“Nëndetësja” humbet krahun e majtë ndaj Elbasanit, rikthime me peshë në skuadrën e Ilir Dajës
  • PublishedMay 24, 2026

Dinamo ka vijuar prej ditësh me përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Elbasanit dhe sot pritet t’i japë dorën e fundit përgatitjeve. Të besuarit e Dajës do të jenë sërish me mungesa të rëndësishme, por ndryshe nga sfida me Vllazninë, situata paraqitet më e mirë të paktën sa i përket rikuperimeve.

Nga mungesat e shumta që skuadra ka pasur, Teikseira është rikthyer në skuadër dhe po stërvitet me grupin, ashtu si edhe Qefalija e portieri Teqja. Në dyshim për këtë takim, vazhdon të mbetet Dejvi Bregu. Sulmuesi vlonjat ka pësuar një dëmtim në pulpë dhe po menaxhohet nga stafi teknik për të mos rrezikuar një dëmtim edhe më të rëndë duke ditur se po afrojnë ndeshjet e Europës. Mungesa të sigurta, janë të konfirmuara ato të Faton Nezirit dhe Lorranit, të dy këta lojtarë të krahut të majtë të mbrojtjes.

FORMACIONI – Sa i përket rreshtimit, në portë sërish pritet titullar Kiri duke qenë se Teqja mund të lihet edhe pak ditë pushim pas çarjes në fytyrë. Në të djathtë, pritet Ismaili titullar dhe në të majtë të spostohet Aliji. Në qendër, mund të aktivizohet dyshja Dita – Teikseira. Në mesfushë, pritet që titullarë të jenë Malomo, Qardaku dhe Gudiabi ndërkohë që në sulm, fanellë titullari mund të ketë për Guindon në qendër, i ndihmuar në krahë nga Berisha dhe Nani.