Wed, May 27, 2026

Zayn Malik thyen heshtjen pas akuzave për sjellje të papërshtatshme ndaj fansave

Zayn Malik thyen heshtjen pas akuzave për sjellje të papërshtatshme ndaj fansave
  • PublishedMay 27, 2026

Zayn Malik ka reaguar publikisht pas videos virale që bëri xhiron e rrjeteve sociale, ku ai shihej duke debatuar me disa persona jashtë një hoteli teksa përpiqej të largohej me makinën e tij. Pamjet shkaktuan reagime të shumta në internet, pasi fillimisht u raportua se ish-anëtari i One Direction ishte sjellë në mënyrë të ashpër me fansat.

Në videon që u publikua nga mediat ndërkombëtare, këngëtari dëgjohej duke thënë “largohuni nga rruga ime”, ndërsa ai dhe një pjesëtar i sigurisë tentonin të hapnin derën e automjetit mes turmës së mbledhur pranë hyrjes së hotelit.

Pas përhapjes së pamjeve, Zayn vendosi të sqarojë situatën përmes komenteve në rrjetet sociale, duke mohuar se bëhej fjalë për fansa të tij. Sipas artistit, personat me të cilët pati përplasje ishin disa burra që e kishin bllokuar atë dhe ekipin e sigurisë për rreth 10 minuta.

“Fansat e mi janë gjithmonë të respektueshëm dhe fantastikë. Problemi ishte me disa burra të rritur që po na pengonin të largoheshim”, u shpreh këngëtari.

Ai i cilësoi këta persona si përndjekës, duke pretenduar se ndjekin vazhdimisht figura publike vetëm për të filmuar video dhe për të krijuar përmbajtje virale në rrjete sociale.

Pas reagimit të tij, shumë ndjekës dolën në mbështetje të artistit, duke theksuar se situata dukej stresuese dhe se çdo person publik ka të drejtë për privatësi dhe siguri.

Ky incident vjen vetëm pak kohë pasi Zayn anuloi disa koncerte për shkak të problemeve shëndetësore dhe një shtrimi misterioz në spital. Së fundmi, ai është rikthyer në skenë, duke performuar dy net radhazi në arenën O2 në Londër.