Wed, May 27, 2026

Si mund të jetohet këtu

Si mund të jetohet këtu
  • PublishedMay 27, 2026

2 mijë euro metri, deputeti i PS shpërthen ndaj kompleksit KADIU dhe Magalem të ndërtuar nga Kontakt: Si mund të jetohet këtu

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shpërthyer me kritika të forta ndaj mënyrës së ndërtimit në zonën e Ali Demit në Tiranë, pas një vizite në lagjen “Mangalem” dhe kompleksin e pallateve “Kadiu”, të ndërtuara nga kompania Kontakt.

Në reagimin e tij publik, Braçe vë në pikëpyetje standardet urbanistike dhe sigurinë në një prej komplekseve që reklamohet si ndër më cilësorët në kryeqytet.

“Pyetja që kam është: A mund të ndërtohet një lagje kështu?!”, shkruan deputeti socialist, duke akuzuar ndërtuesit për shfrytëzim maksimal të çdo metri në favor të fitimit dhe jo të interesit publik.

Braçe ndalet veçanërisht tek rrugët e ngushta, trotuaret minimale dhe afërsia mes pallateve në kompleksin “Kadiu”, duke paralajmëruar probleme serioze për sigurinë e banorëve në raste emergjencash.

“Rrugë të tilla e pallate të vendosura afër me njëra-tjetrën e të paaksesueshme nga zjarrfikëset”, shkruan ai, ndërsa shton se nuk ka parë shkallë emergjence në godinat e kompleksit.

Deklaratat e Braçes vijnë vetëm pak ditë pasi një pallat në kompleksin “Kadiu” u përfshi nga flakët, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi kushtet e sigurisë dhe aksesin për ndërhyrjet emergjente në zonat me dendësi të lartë ndërtimi.

Deputeti socialist ironizon edhe emrin “Mangalem”, duke e krahasuar me lagjen historike të Beratit, të njohur si “qyteti i një mijë dritareve”.

“Nuk di pse e quajnë Mangalem… në fakt vetëm dritare standarde ka”, shprehet Braçe.

Megjithatë, ai bën dallim mes projektit urbanistik dhe banorëve të zonës, për të cilët shprehet me respekt:

“Pa fyer kërkend që ka blerë banesë këtu — njerëz të mirë, të qetë e paqësorë nga gjithë Shqipëria gjeta.”

Kompleksi “Kadiu” dhe projektet e tjera në zonë janë ndërtuar nga kompania Kontakt, ndërsa reagimi i fortë i Braçes pritet të ndezë debat publik mbi modelin e zhvillimit urban në Tiranë, standardet e sigurisë dhe mënyrën sesi janë miratuar këto ndërtime masive në zemër të kryeqytetit.