Juve duhet të sakrifikojë, pa Champions Bremer drejt largimit, Kim alternativa e duhur
Merkatoja e verës nis të ndizet edhe në Torino. Pas mungesës së realizimit të objektivit për të marrë pjesë në Champions League, skuadra torineze duhet të arkëtojë të paktën 70 milionë euro, në mënyrë që të nis projektimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye duhen sakrifikuar disa nga “yjet” e skuadrës. Një ndër to është mbrojtësi Brazilian Gleison Bremer, i cili mund të jetë një nga largimet e mëdha të Juventusit, ndërsa në garë për të është futur edhe Bayern Munich.
Sipas mediave italiane, kampionët e Gjermanisë po monitorojnë nga afër situatën e qendërmbrojtësit bardhezi dhe janë gati të bëjnë lëvizje konkrete në javët e ardhshme. Interesimi i Bayern-it shtohet atij të disa klubeve të Premier League, duke e bërë gjithnjë e më të mundshëm një transferim të Bremer larg Torinos.
Juventus, nga ana tjetër, po mendon tashmë për alternativat në repartin defensiv. Emri që po qarkullon me forcë është ai i Kim Min-jae. Mbrojtësi koreano-jugor i Bayern Munich shihet si profili ideal për të zëvendësuar brazilianin, falë eksperiencës së tij në Serie A me Napolin dhe karakteristikave që përshtaten me projektin bardhezi.
Kim gëzon gjithashtu vlerësimin e madh të Luciano Spallettit, me të cilin fitoi titullin kampion në Itali gjatë eksperiencës te Napoli. Pikërisht ky faktor mund të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme të Juventusit për repartin e mbrojtjes.
