Si i plagos i riu në Tiranë për makinën 30 mijë euro
Si i plagos i riu në Tiranë për makinën 30 mijë euro
Një sherr për një automjet me vlerë 30 mijë euro, ishte shkaku i konfliktit mes Klodian Kallos 31 vjeç dhe Juxhin Hamajezit 34 vjeç që përfundoi me plagosjen me armë zjarri në këmbë të këtij të fundit.
Ngjarja ka ndodhur 2 ditë më parë në lokalin në pronësi të 34-vjeçarit. Sipas burimeve të informacionit, 34-vjeçari i kishte marrë Kallos një automjet me vlerë rreth 30 mijë euro, pa i dhënë shumën e parave. Kallo kishte shkuar në lokalin e Hamajezit për t’i kërkuar paratë, duke e kërcënuar se në të kundërt do ta vriste.
Fillimisht mes tyre ka pasur debat verbal, ndërsa më pas i dyshuari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të 34-vjeçarit. Hamajezi mbeti i plagosur me një plumb në këmbë. Pas ngjarjes, gjatë marrjes në pyetje në spital, Hamajezi ka refuzuar të japë deklarime për grupin hetimor. Policia ka shpallur në kërkim 31-vjeçarin si dhe 2 persona të tjerë, Gjergji Lleshi dhe Lulzim Mejdani, të cilët kanë ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes.
Hamajezi rezulton me precedentë penal, pasi është arrestuar më herët për trafikim të emigrantëve klandestinë. Në vitin 2018 ai i shpëtoi gjithashtu një atentati, ku u qëllua me armë zjarri nga Santjago Malko. Ndërkohë Klodian Kallo është arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje teksa ka qëlluar në ajër.
“Tiranë
Si rezultat i hetimeve, zbardhen autorësia dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të kryer më datë 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autori i dyshuar i plagosjes dhe 2 bashkëpunëtorët e tij.
Gjendet dhe sekuestrohet me cilësinë e provës materiale, 1 automjet i cili është përdorur në vendngjarje.
Menjëherë pas njoftimit së një shtetas ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, rreth mesnatës së datës 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për zbardhjen e rrethanave dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.
Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua autori i dyshuar i plagosjes për motive të dobëta, shtetasi K. K., 31 vjeç, si dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Gj. Ll., 36 vjeç dhe L. M., 45 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit.
Shtetasi i plagosur, J. H., është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
