Ndërron jetë 17-vjeçari te Trauma! U plagos padashje nga shoku tek Kthesa e Kamzës
E RËNDË NË TIRANË/ Ndërron jetë në spital 17-vjeçari i plagosur me armë zjarri në kokë
I mituri ishte qëlluar aksidentalisht gjatë një feste në banesën e një 19-vjeçari në zonën e Kthesës së Kamzës
Tiranë — Ka ndërruar jetë pas disa ditësh në gjendje kritike 17-vjeçari që mbeti i plagosur me armë zjarri në kokë më 24 maj në Tiranë.
I riu ishte transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, pasi u plagos gjatë një grumbullimi me shokë në banesën e 19-vjeçarit Rigels Sylaj, në zonën e Kthesës së Kamzës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë gjatë natës.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ndodhi teksa 19-vjeçari dyshohet se po u tregonte një armë zjarri pa leje disa shokëve të tij, kur arma është shkrepur duke plagosur në kokë 17-vjeçarin.
Fillimisht, të rinjtë kishin deklaruar se kishin dëgjuar të shtëna nga jashtë dhe e kishin gjetur të plagosur në oborr, por më pas kanë pranuar se incidenti kishte ndodhur brenda banesës.
Pritet që organet ligjzbatuese të japin detaje të mëtejshme lidhur me ecurinë e hetimeve dhe ndryshimin e mundshëm të akuzave pas ndërrimit jetë të të miturit.
