Neymar, i dëmtuar në grumbullim, tani rrezikon Botërorin
Në Brazil, tifozët festuan për grumbullimin e Neymar në Botërorin “FIFA2026”, por sulmuesi i Santos rrezikon të kthehet shumë shpejt në një “bombë” të vërtetë në dorën e Carlo Ancelottit. Pas festës, në media kanë shpërthyer menjëherë çështja Neymar, kjo për shkak të gjendjes së tij fizike. Përpara ftesës së Ancelottit, klubi i Santos doli me një deklaratë zyrtare se ylli i ekipit të tyre nuk kishte një problem serioz, bëhej fjalë vetëm për një shqetësim të lehtë në pulpe dhe se do të ishte gati për fazën e grumbullimit, por ajo që shqetësoi ambientin ishin pamjet, ku Neymar shihej qartë duke çaluar.
Së fundmi, sulmuesi i Santos i është nënshtruar disa ekzaminimeve nga stafi mjekësor i ekipet përfaqësues, dhe përgjigjja e analizave ishte krejtësisht e kundërta: bëhet fjalë për një dëmtim muskulor i shkallës së dytë në pulpën e djathtë. Neymar i është nënshtruar menjëherë terapive intensive, por koha e rikuperimit parashikohet deri në 3 javë duke e bërë thuajse të pamundur prezencën e tij në sfidën e parë kundër Marokut.
Brazili ka kohë deri një ditë përpara ndeshjes së parë në Botëror për të zëvendësuar Neymar, gjithnjë nëse ky i fundit nuk ia del të rikuperohet në kohë, por fjalën e fundit për këtë do ta kenë mjekët e FIFA-s. Nëse FIFA konfirmon pamundësinë e Neymar për të luajtur, atëherë Ancelotti mund ta zëvendësojë me një nga lojtarët që ishin të përfshirë në listën paraprake me 55 lojtarë të dorëzuar në FIFA, ose ta mbajë në skuadër me shpresën që do të rikuperohet dhe se do të ndihmojë ekipin gjatë pjesës së mbetur të Botërorit.
