Sun, May 31, 2026

“Ku është ndryshimi mes Rrjollit dhe Zvërnecit?” Reagimi i Luiz Ejllit ngre pyetjen që Shqipëria po shmang

“Ku është ndryshimi mes Rrjollit dhe Zvërnecit?” Reagimi i Luiz Ejllit ngre pyetjen që Shqipëria po shmang
  • PublishedMay 31, 2026

“Nuk kam asgjë kundër atyre që reagojnë për Zvërnecin. Madje shumë mirë bëjnë. Kam diçka kundër atyre që reagojnë vetëm për Zvërnecin.”

Me këto fjalë, Luiz Ejlli ka reaguar për situatën në Zvërnec, duke ngritur një pyetje që prej kohësh mbetet pa përgjigje: pse disa kauza marrin vëmendje kombëtare, ndërsa të tjera lihen në harresë?

Ai kujton se banorët e Rrjollit po përballen prej javësh me tensione dhe përplasje të forta, pa marrë të njëjtin reagim publik që po merr sot Zvërneci.

“Ku është ndryshimi mes Rrjollit dhe Zvërnecit? Ose reagojmë për të gjithë, ose po përdorim standarde të dyfishta”, shkruan ai.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh.

Ne si media kemi bërë vazhdimisht të njëjtën thirrje: protestat në Shqipëri humbasin sepse mbeten vetëm. Nuk bashkohen. Nuk mbështeten nga komunitete të tjera. Nuk kthehen kurrë në një reagim qytetar kombëtar.

Çdo protestë e izoluar është më e lehtë për t’u shtypur. Çdo komunitet i lënë vetëm është më i dobët. Kur zërat bashkohen, mesazhi bëhet më i fortë.

Kujtoni protestat e Fushë Krujës. Banorë që dolën masivisht, familje të tëra, me prova në dorë dhe me zemërim legjitim. Ajo mund të ishte kthyer në një pikë kthese nëse do të kishte pasur mbështetje më të gjerë qytetare dhe politike. Por nuk ndodhi.

Protesta u përball me forca policie, tensione, përplasje dhe shoqërime. U shua. Ashtu edhe Baks-Rrjolli. Siç janë shuar shumë të tjera para saj.

E njëjta gjë po ndodh sot në Zvërnec. Në vend që qytetarët ta shohin si një çështje që i përket të gjithëve, rrezikon të trajtohet si hall i banorëve të zonës. Dhe pikërisht kështu humbasin betejat.

Ne të tjerët vazhdojmë të shohim nga larg. “Nuk është problemi ynë”, themi. “Nuk na prek ne”, mendojmë. Sot është toka e dikujt tjetër. Nesër do të jetë e jona.

Kemi parë çfarë po ndodh me Portin e Durrësit. Kemi parë çfarë po ndodh në Vlorë. Kemi parë Fushë Krujën, Rrjollin dhe Zvërnecin. Në disa raste protestat lokalizohen. Në raste të tjera nuk organizohen fare. Dhe sistemi vazhdon të fitojë pikërisht sepse qytetarët nuk bashkohen.

Çdo protestë e shtypur është humbje për të gjithë. Çdo tokë e humbur sot është precedent për nesër. Çdo herë që heshtim kur të tjerët shtypen, po forcojmë sistemin që nesër do të vijë edhe për ne.

Prandaj e përsërisim thirrjen tonë:

Shqipëria është e të gjithëve. Jo vetëm e banorëve të një zone.

Duhet të dalim edhe kur halli nuk është te dera jonë. Duhet të ngrihemi edhe kur toka që rrezikon të merret nuk është e jona. Duhet të reagojmë edhe kur protesta zhvillohet qindra kilometra larg nesh.

Sepse nëse nuk ngrihemi për njëri tjetrin, nuk do të ketë më nevojë që askush të na ndajë apo të na mposhtë.

Ne do ta kemi bërë vetë.